Mbrëmë në orët e vona në parlament Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi foli në lidhje me Ligjin për krijimin e regjistrit kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, për të cilin shprehu angazhimin e plotë për ta zbatuar me korrektesë në të gjithë sistemin arsimor.

 

“Arsyeja për të cilën e kërkova fjalën tani lidhet me angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve tona arsimore jo vetë për ta zbatuar këtë ligj me korrektesë, por për ta reflektuar atë në të gjitha aktet tona ligjore, nënligjore, rregullatore, udhëzimet e gjithçka tjetër,” – u shpreh znj. Kushi.

 

Ajo tha se qëndrimin si institucione arsimore e kanë shprehur edhe më herët. Vitin e kaluar duke u nisur nga një rast konkret që shkaktoi zemërim në opinionin publik, Kushi firmosi menjëherë një udhëzim që i ndalon të gjithë individët e dënuar më parë për kryerjen e çdo lloje vepre penale ndaj të miturve dhe ndaj institucioneve arsimore, për të aplikuar dhe konkurruar për mësues.

 

Menjëherë pas udhëzimit Ministria e Arsimit u angazhua edhe për iniciativa të tjera ligjore për të garantuar akoma më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.

 

“Dhe për këtë arsye menjëherë sapo filluam punë për rishikimin e ligjit për arsimin parauniversitar para disa muajsh, ligj i cili aktualisht është në konsultim publik me të gjithë aktorët e sistemit, ne kemi shtuar një nen në ligj, i cili përcakton qartë që këta persona nuk mund të ushtrojnë as profesionin e mësuesit, por as edhe një pozicion tjetër në institucionet tona arsimore, pavarësisht edhe rehabilitimit të tyre,” – u shpreh ministrja.

 

Nëpërmjet ligjit të ndryshuar të arsimit parauniversitar, znj. Kushi tha se nuk do të lejojnë as drejtorë, as mësues, as punonjës të shërbimit psikosocial, as mësues ndihmës, as një lloj pozicioni tjetër brenda mureve të institucioneve tona arsimore që mund të ketë kryer çdo lloj vepre penale ndaj të miturve.

 

“Do të punojmë akoma më shumë që figura e mësuesit të përcjellë virtyte, të përcjellë siguri, vlera, të përcjellë integritet moral dhe ligjor. Ne këtë nuk do ta bëjmë vetëm me anë të ligjit, por natyrisht ne kemi edhe mjete të tjera, shërbimin psiko-social në shkolla, oficerët e sigurisë, projekte, aktivitete ekstra-kurrikulare për t’i informuar nxënësit për rreziqet që u kanosen atyre brenda dhe jashtë mureve të shkollës,” – u shpreh znj. Kushi gjatë fjalës së saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re