Ministri i Arsimit i Turqisë, Ziya Selçuk, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, i shoqëruar nga delegacioni i tij ka zhvilluar një vizitë në Universitetin “New York Tirana” (UNYT) që administrohet nga Fondacioni Turk “Maarif”. Ai ka thënë se e mbështesin në çdo aspekt universitetin dhe pas kësaj do të vazhdojnë të japin çdo lloj kontributi që i njëjti të avancohet edhe më tutje.

 

Selçuk u takua me rektorin e UNYT, Ismail Kocayusufoğlu, ndërsa më pas mori pjesë në programin e organizuar me rastin e vizitës së tij.

Ai theksoi se është i sigurt që do të merren të gjitha masat që universiteti të hapërojë me hapa të sigurta në të ardhmen dhe në këtë kuadër t’i kontribuojë njerëzimit.

Selçuk theksoi se mendon që universiteti do të rritet duke arsimuar ekspertë në nivel ndërkombëtar të integruar me diplomacinë publike dhe do t’i kontribuojë botës dhe vendit me misionin e tij.

“Këtu, është shumë e rëndësishme për ne që të zhvillojmë dhe mbajmë një arsim të lartë cilësor me një perspektivë që merr në konsideratë standardet universale nën udhëzimin e shkencës dhe gjithashtu në shërbim të zhvillimit të Shqipërisë”, theksoi ministri turk.

Rektori Kocayusufoğlu duke informuar rreth universitetit, tha se UNYT me përpjekjet e Fondacionit “Maarif” është përqendruar në dy degë kryesore, duke njoftuar se këto janë qendra e hulumtimeve “Instituti Evropian dhe Ballkanik” si dhe kontributi në aktivitetet e studentëve.

Ministri Selçuk në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, së bashku me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, vizitoi shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë “Asim Vokshi” dhe shkollën 9-vjeçare “Mustafa Kemal Ataturk” në Tiranë.

Selçuk dhe Kushi gjatë vizitës së tyre në shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë “Asim Vokshi”, zhvilluan një bisedë me nxënësit e gjuhës turke që marrin pjesë në ligjërata online, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Dy ministrat më pas morën pjesë në ceremoninë e hapjes së shkollës 9-vjeçare “Mustafa Kemal Ataturk”, e cila u restaurua me mbështetje të ambasadës së Turqisë në Tiranë.

Ministri turk gjatë fjalimit të tij në ceremoni, falënderoi zyrtarët e bashkisë për kontributin e tyre në emërtimin e shkollës, Mustafa Kemal Atatürk.

Ai tha se kontributi i tyre ndaj shkollës do të vazhdojë. “Me vizitën e fëmijëve tanë nga Turqia, me vizitën e fëmijëve prej këtu në Shqipëri, bashkëpunimi do të rritet falë institucioneve arsimore të tilla”, u shpreh Selçuk.

Ndërkaq, Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e ambasadorit turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ceremoninë e cilësoi si një ndër shembujt më të mirë të miqësisë historike dhe solidaritetit mes turqve dhe shqiptarëve.

Ajo rikujtoi se me udhëzimet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të gjitha institucionet përfshirë Ministrinë e Arsimit të Turqisë, TIKA dhe YTB, deri më sot kanë dhënë ndihma të mëdha për infrastrukturën arsimore dhe zhvillimit social të Shqipërisë.

Ministri i Arsimit i Republikës së Turqisë, Ziya Selçuk u takua edhe me nxënësit që ndjekin kurset e turqishtes ballë për ballë në institutin turk “Yunus Emre” Tiranë.

Kujtojmë se më përpara, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Evis Kushi ka zhvilluar një takim me homologun turk, Ziya Selçuk.

Ministrja e Arsmit shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha, veçanërisht në arsim me bursa për studentët shqiptarë dhe rikonstruksionin e shumë objekteve arsimore.

Në takim u diskutua rreth marrëveshjes që u nënshkrua në Ankara më 6 Janar të këtij viti.

Kushi vlerësoi edhe gatishmërinë e palës turke për hapjen filialit të Universitetit Teknik të Stambollit në Shqipëri.

Ministri Selçuk dhe ministrja Kushi mbajtën edhe një deklaratë të përbashkët për shtyp, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë, marrëveshjen e nënshkruar në fushën e arsimit mes dy vendeve dhe mbështetjen e Turqisë.

Ministri Selçuk u shpreh i lumtur që ndodhet në Shqipëri me ftesë të ministres Kushi. Selçuk rikujtoi se në muajin janar, Kushi vizitoi Turqinë, gjatë së cilës u firmos një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e arsimit si rezultat i punimeve të zhvilluara gjatë kësaj vizite. Ai falënderoi homologen për ftesën, e cila, sipas tij, ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, formimin e grupeve të punës dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme.

Ai deklaroi se ka pasur një takim të frytshëm me kryeministrin shqiptar Edi Rama për çështje të ngjashme. Selçuk vuri në dukje se brenda kornizës së këtyre vizitave, ata do të kenë mundësinë të shohin rëndësinë që autoritetet shqiptare i kushtojnë mësimit të turqishtes në shkolla.

Në bazë të parimit të reciprocitetit, ai theksoi se edhe në Turqi kanë ndjekur çështjen e mësimit të gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në Turqi.

“…Jemi të sigurt se mësimi reciprok i këtyre gjuhëve do të forcojë bashkëpunimin tonë në periudhë afatgjate. Përveç ministrisë, programi është të shohim në vend edhe punimet e institucioneve tona si Fondacioni “Maarif”, Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre” dhe TIKA…”, deklaroi Selçuk.

Ministrja Kushi deklaroi se e vlerësojnë këtë vizitë si një hap të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, por edhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të tjera.

“….Patëm një takim shumë të frytshëm me ministrin e Arsimit të Turqisë dhe delegacionin që e shoqëronte, ku gjeta rastin t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë së pari në fushën e arsimit, por edhe në fusha të tjera dhe në mënyrë të veçantë në fushën e arsimit për sa i takon bursave për studentët shqiptarë, por edhe rikonstruksionin e shumë objekteve arsimore…”, tha ministrja Kushi.

Ajo tha se ka falënderuar homologun turk për masat që ka marrë Qeveria e Turqisë për përfshirjen e gjuhës shqipe në kurrikulat në shkollat turke, ndersa në lidhje me marrëveshjen në fushën e arsimit të nënshkruar mes dy vendeve në Ankara në janar, Kushi theksoi: “…Kjo marrëveshje është një ogur i mirë për forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e arsimit. Tashmë ne i kemi përmbyllur të gjitha proceduarat ligjore dhe jemi gati të fillojmë menjëherë zbatimin e saj. (…) Diaspora e re dhe e vjetër shqiptare në Turqi shërben si një urë bashkëpunimi midis dy vendeve. Prandaj e vlerësoj kontributin që u japim brezave të rinj për të mësuar gjuhën shqipe. (…) Në kuadër të marrëveshjes që nënshkruam në Ankara më 6 janar, ne do të kryejmë një vlerësim për kërkesat që mund ketë në shkollat shqiptare për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot për mësimin e gjuhës turke në Shqipëri.”, tha Kushi, duke shtuar se i shprehin mirënjohjen qeverisë turke për mbështetjen që u jep studentëve shqiptarë me bursa që studiojnë në universitete turke.

“…Siç u bisedua edhe gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Ankara ne do ta mirëprisnim dhe do ta vlerësonim shumë hapjen e një filiali të Universitetit Teknik të Stambollit këtu në Shqipëri. Ne ramë dakord që të intensifikojmë bashkëpunim tonë në fushën e arsimit në të gjitha nivelet. Bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në të gjitha fushat…”, u shpreh ministrja Kushi.

Nga ana tjetër, po në kuadër të fushës së arsimit dhe bashkëpunimit shqiptaro-turk, në qytetin e Shkodrës është organizuar aktiviteti i prezantimit të projektit “Shkolla Rinore Ballkanike 2021”, e cila po organizohet për të katërtin vit nga Shoqata e të Diplomuarve në Turqi e Shqipërisë në bashkëpunim mes shoqatën “Istanbul”, YTB (Organizatës për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Mike) dhe shoqatës “Përpjekje”. Aktivitetin e përshëndeti kryetari i shoqatës “Istanbul”, Ridvan Seferaj, i cili tha se pjesëmarrësve të këtij aktiviteti u jepet mundësia të marrin informacion, të diskutojnë dhe të aftësohen rreth tematikave të trajtuara nga lektorë me përvojë. “Bashkëpunimi me YTB-në në kuadër të këtij projekti ka qenë mjaft rezultativ dhe ka sjellë edhe frytet e veta. Këtë vit ka interes të shtuar dhe kërkesa të shumta nga të rinjtë për pjesëmarrje në seancat e seminareve. Këto bashkëpunime përveçse shkëmbim përvoje, janë edhe një instrument mjaft i rëndësishëm për forcimin dhe thellimin e miqësisë mes dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Turqisë”, tha Seferaj.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re