Ministrja në detyrë e të Drejtave Sociale e Spanjës, Ione Belarra, i kërkoi qeverisë të pezullojë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin për shkak të “gjenocidit të planifikuar” kundër popullit palestinez.
Komentet e Belarras erdhën përpara një takimi të nivelit të lartë që u zhvillua në Madrid si pjesë e presidencës spanjolle të BE-së.
“Sot, i kam kërkuar partnerit tonë (në qeveri), Partisë Socialiste (PSOE), që ta marrim veten më seriozisht në luftën kundër këtij gjenocidi të planifikuar, që po kryen Izraeli kundër popullit palestinez. Unë besoj se ne duhet të pezullojmë urgjentisht marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Izraelit”, u tha Belarra gazetarëve.
“Përveç kësaj, ne duhet të promovojmë një debat në nivel evropian për të aplikuar sanksione ekonomike shembullore kundër atyre që janë politikisht përgjegjës për këtë gjenocid”, shtoi ajo.
Të paktën 471 njerëz u vranë dhe 342 të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza të martën vonë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Izraeli, megjithatë, ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror.
Gaza tashmë po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.
Konflikti filloi më 7 tetor kur Hamasi filloi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi ka thënë se inkursioni ishte në hakmarrje për bastisjet në Xhaminë Al-Aksa dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës.
Shefi i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet epike njerëzore”.
Të paktën 3.478 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.
Burimi: AA