Skip to content

Ministrja tregon kur do të mbyllen kufijtë me Italinë prej koronavirusit

Për ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk është momenti që të mbyllen kufijtë me Italinë dhe shkollat. Gjatë mbledhjes së task-forcës, Manastirliu tha se diçka e tillë do të bëhet vetëm në rast se konfirmohen raste me koronavirus edhe në Shqipëri.

 

“OBSH që po administron edhe në nivel ndërkombëtar veprimet, kur themi që masat që po merr vendi janë në përputhje të plotë me OBSH, ajo rekomandon që të shihet dhe të vlerësohet mundësia hap pas hapi bazuar në shkallën e riskut, por mbyllja e kufijve realizohet në një moment të caktuar kur paraqiten raste apo kemi situatë të epidemisë dhe me përhapje të gjerë, që edhe në ato raste OBSH dhe modelet, apo siç aplikohet në vende të tjerë nuk vihen masat agresive kombëtare por izolohet rasti lokalisht dhe më pas të zonave specifike dhe të caktuara.”

 

Ministrja Manastirliu tha se akoma nuk ka asnjë të prekur në vendin tonë me virusin kinez. Ajo theksoi se janë dyfishuar masat në pikat kufitare dhe se kontrollet po kryhen të imtësishme. Frika e përhapjes së koronavirusit u rrit më shumë pas situatës në Itali. Në shtetin fqinj kanë vdekur 4 persona deri tashmë, ndërsa janë edhe mbi 200 të infektuar.