Duke filluar nga kjo e diel, banorët në fshatit Arrëz të Devollit, do të lëvizin normalisht drejt fshatrave apo zonave të tjera përreth. Pas ndërhyrjes nga Ministria e Mbrojtjes, është bere i mundur ndërtimi i urës, duke e bërë më të sigurt rrugën e 65 fëmijëve drejt shkollës 9-vjeçare, e cila ndodhet pak metra larg urës. Pak ditë pasi efektivi i togës së urave në Batalionin e Xhenios përfundoi ndërtimin, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, pa nga afër punimet.
 
“Unë jam krenare për forcat  tona xhenio, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre për zgjerimin e rrugëve apo ndërtimin e urave, siç është rasti i sotëm në Arrëz. Në këtë fshat, me ndërtimin e urës ne po japim mundësi që banorët jo vetëm të komunikojne me fshatrat fqinjë, por që zona të jenë me e arritshme nga turistët vendas dhe të huaj”.
 
Arrëza festoi këtë fundjavë 90-vjetorin e shkollës së parë shqipe. E pranishme në këtë aktivitet, Ministrja e Mbrojtjes dha një tjetër lajm të mirë për banorët e kësaj zone. Ajo tha se shumë shpejt do të nisë puna për zgjerimin e rrugës që lidh fshatin me Dardhën.
 
“Ju ndoshta e dini që unë jam mbesë nga Devolli dhe për herë vij këtu me zemrën plot. Si Ministre e Mbrojtjes angazhohem, që bashkë me efektivin xhenio do të punojmë për zgjerimin dhe sistemin e rrugës, që lidh fshatin tuaj me Dardhën, që ndodhet vetëm pak kilometra larg jush. Përmes misionit të tyre nga veriu në jug të vendit, forcat xhenio dhe çdo strukturë tjetër e Forcave të Armatosura,po japin kontributin e tyre, që çdo fshat, sado i largët të bëhet i arritshëm, që banorët të mos braktisin tokat dhe shtëpitë e tyre për shkak të një ure apo të një rruge.”
 
Me rastin e 90-vjetorit të shkollës së pare shqipe, nëpër klasa e shkollëa u vendosën soba për ngrohjen për të përballuar temperaturat e ulëta gjatë stinës së dimrit.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re