TIRANË- Analisti i njohur, Skënder Minxhozi tha se nëse vërtetohen akuzat se ka përfituar para ruse, ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi rrezikon të procedohet penalisht për fshehje të ardhurash dhe evazion fiskal.

“Nëse vërtetohet, Kryemadhi procedohet penalisht, për nenet që e kapin për mos deklarim të ardhurash dhe evazion. Është një material impozant, e rëndë si akuzë në adresë të Kryemadhit”, u shpreh Skënder Minxhozi.

Ai thotë se në kushte kur të dhënat janë kaq të shumta në numër, SPAK duhet të nisë hetimet për të zbardhur këtë çështje, dhe për të qartësuar implikimin e Kryemadhit.

“Ilir Meta është i vetmi person, që i ka shëtitur të gjitha katet e e politikës dhe institucioneve të shtetit, dhe është një familje që edhe listën e armiqve e ka shumë të gjatë kam përshtypjen. Në rrethanat që akuzat janë kaq të rënda dhe kaq të detajuara. SPAK nuk ka mbajtur një qëndrim. Në mënyrë që të ndahet ajo që është një material shërbimesh, apo investiguesish që kanë dërguar një informacion. Të ndahet kjo nga një sajesë, keqdashje, këtu ka vetëm një arbitër. Këtu duhet të ketë arbitër të hetojë, të qartësojë dhe të vendosë pikat mbi “i”. Duhet që drejtësia me urgjencë të veprojë. Njerëzit shohin të dhëna konkrete dhe të detajuara, por duhet arritur në konkluzion se çfarë janë”, tha Minxhozi./n.m.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re