FSHF më në fund ka zyrtarizuar edhe ndeshjen e radhës zyrtare për datat e lira për miqësore në muajin mars. Do të jetë Norvegjia kundërshtari i 26 marsit në një takim, i cili do të zhvillohet në “Elbasan Arena’’ ndërkohë që pritet të përcaktohet edhe data.
Dy skuadrat janë në pozita të ngjashme në renditjen e FIFA-s dhe asnjëra nuk ia ka dalë të jetë pjesë e botërorit Rusi 2018. Kjo do të jetë ndeshja e pestë mes këtyre dy skuadrave por ndërkohë edhe e para miqësore. Në bilancin e deritanishëm numërohen katër ndeshje mes tyre dhe secila prej skuadrave ka fituar nga një ndeshje dhe dy barazime. Ndeshja e parë mes dy skuadrave është zhvilluar në Oslo dhe e mbyllur në barazim një ndër ndeshjet më të bukura të kombëtares tonë pasi kaluam në avantazh të dy golave me Bushin dhe Taren. Po ashtu sërish në Oslo kemi edhe fitoren e vetme falë golit të Salihit në kualifikueset e botërorit të shkuar.
Kjo ndeshje pritet ti vlejë teknikut Panuçi për të konturuar grupin e tij të futbollistëve që do të përdor gjatë kualifikueseve të ardhshme pasi në fundin e janarit hidhet edhe shorti për Ligën e Kombeve. Po ashtu në këtë takim priten edhe katër prurje të reja ku emri më i përmendur është ai i Mërgim Berishës sulmuesit të Lask Linz.
Por kjo ndeshje do të ketë një vlerë të madhe historike pasi ndeshja ndaj Norvegjisë do të jetë edhe takimi i 100 miqësor për kombëtaren tonë. Një rrugëtim i hershëm i nisur nga 22 shtatori i vitit 1945 kur Shqipëria mundte në Shkodër, Malin e Zi. Fitorja 5-0 e kombëtares së drejtuar asokohe nga trajneri serb Ljubica Broçiç. Golat e sfidës së parë miqësore janë shënuar nga Juka(2), Teliti(2) dhe Bizhuta por kjo ndeshje nuk njihet nga FIFA(nuk është hedhur në database e saj).
Ndërkohë që miqësorja e parë e njohur edhe nga FIFA është barazimi 1-1 në Bukuresht ndaj Rumanisë më 23 tetor 1949. Dy rekordet e Shqipërisë në ndeshjet miqësore janë humbja 12-0 ndaj Hungarisë së Pushkash(24 shtator 1950, Budapest). Ndërsa fitorja më e thellë erdhi kundra Qipros(12 gusht 2009, Tiranë) kur Shqipëri drejtohej nga trajneri kroat, Josip Kuzhe.
Miqësorja e 99 është edhe e para kur skuadra drejtohej nga Panuçi dhe Shqipëria arriti një fitore të madhe ndaj Turqisë në Antalia(Turqi 2-3 Shqipëri, 13 nëntor 2017). Në këto 99 ndeshje Shqipëria ka një bilanc pozitiv ndryshe nga ato zyrtare të vlefshme për kualifikuese të botëroreve dhe evropianeve por edhe Kupat Ballkanike. Në 99 ndeshje Shqipëria numëron 37 fitore, 26 barazime dhe 36 humbje./Berati.TV