Në prag të nisjes së vitit shkollor 2019-2020, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja zhvilloi një takim me drejtuesit e të gjitha shkollave në Bashkinë e Elbasanit.

Qëllimi i këtij takimi është koordinimi i punës për të nisur një vit të mbarë shkollor, evidentimi i problematikave dhe ndërhyrja sa më shpejt të jetë e mundur.

Llatja informoi drejtuesit e shkollave për ndërhyrjet e deritanishme, një pjesë e mirë e të cilave është bërë në bashkëpunim me “Miqtë e qytetit”.

Ky është një grup i përbërë kryesisht nga biznese dhe njerëz që e duan Elbasanin, të cilët vullnetarisht kanë kontribuar për investimet, apo ndërhyrjet e pjesshme në kopshte e shkolla.

Duke e vënë theksin tek rëndësia e arsimit, Llatja, theksoi se Bashkia e Elbasanit vit pas viti do të shtojë buxhetin për arsimin.

 

Ai kërkoi nga drejtuesit e shkollave, por edhe nga drejtuesit e Zyrës Arsimore Elbasan që të mos ketë asnjë diferencë në mësimdhënie si në qytet ashtu edhe në fshat.

E njëjta rrugë, tha Llatja,do të ndiqet edhe përsa i përket infrastrukturës, e cila do të jetë e njëjtë qytet apo fshat qoftë.

Kryetari i Bashkisë kërkoi nga drejtuesit e shkollave një bashkëpunim më të ngushtë për të paraqitur dhe zgjidhur së bashku çdo problem të mundshëm. Llatja shtoi se, Agjencia e Shërbimeve Publike, në dy muajt në vazhdim, do të jetë në dispozicion të institucioneve arsimore për të ndërhyrë për çdo problem të mundshëm.

Për të lidhur edhe më shumë komunitetin me shkollën, Llatja kërkoi që ambientet sportive të shkollave të përdoren, gjatë orëve të pasdites, nga komuniteti.

Një detyrë të rëndësishme, sipas Kryetarit të Bashkisë, kanë mësuesit e Edukimit Fizik, të cilët duhet të krijojnë miniskuadra nëpër shkolla për të nxitur konkurueshmërinë mes tyre, por edhe për të rritur një brez të shëndetshëm, larg veseve.

Të pranishëm në takim, drejtori i Zyrës Arsimore Elbasan Alqi Çabiri dhe nënkryetarja e Bashkisë Vesa Liço theksuan rëndësinë e këtyre takimeve për bashkëpunimin mes institucioneve dhe mbarëvajtjen e punës.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re