Komiteti i Ekspertëve duke u bazuar në vijmësinë e procesit të vaksinimit ka propozuar në mbledhjen e ditës së sotme zgjatjen e orarit të muzikës nga 22:00 në 23:00, ndërsa masat e tjera vazhdojnë të jenë në fuqi si kanë qenë më parë.

Me pak fjalë, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka konfirmuar atë që tha Kryeministri Rama mesditën e sotme, teksa komentoi situatën e krijuar në Vlorë, ndërkohë që, vijoi më tej duke thënë se kemi një situatë të qëndrueshme epidiemologjike në një kohë që turizmi ka filluar normalisht.

Reagimi i Kryeministrit Rama dhe paralajmërimi se muzika do të lejohej deri në 23:00:

Kujtojmë se, ditën e sotme Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhjen me protestën e bizneseve në zonën e Lungomares, të cilët kërkojnë zgjatjen e orarit të lejuar për mbajtjen e muzikës, teksa i jemi afruar kulmit të sezonit turistik. Rama u shpreh se nga dita e nesërme, lejimi i muzikës do të jetë deri në orën 23:00, dhe të gjithë ata që duan të këndojnë dhe të kërcejnë përtej kësaj ore, bëjnë mirë që të organizohen në natyrë.

Postimi i plotë i Ramës:

Protestë në Lungomare për muzikën?

1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë

2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit

3.Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike.

Prej disa ditësh në Vlorë dhe jo vetëm bizneset e lokaleve kryesisht, kanë kërkuar që të zgjatet orari i lejuar për muzikën, pasi sipas tyre kjo e dëmton ndjeshëm punën e tyre, pasi turistët nuk preferojnë që të qëndrojnë në lokale sa kohë që nuk ka muzikë.

Të gjithë bizneset që janë gjetur në shkelje nga ana e policisë janë gjobitur me gjoba 10 milionë lekë të vjetra, ndërsa pronarët e tyre hera herës janë proceduar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re