Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ai i BE, Luigi Soreca po zhvillojnë një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha, në selinë blu.

Ky takim vjen pasi Kuvendi miratoi sot ndryshimet kushtetuese për hapjen e pjesshme të listave dhe për heqjen e koalicioneve parazgjedhore, që mendohet se do të jetë edhe fokusi i diskutimeve.

Pas votimit në Kuvend që i dha dritë jeshile ndryshimeve kushtetuese, kreu i PD, Basha reagoi ashpër, ku tha se ato nuk janë të detyrueshme për opozitën.

“Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit e 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën e aq më pak për qytetarët.

Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi edhe një herë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret”, është shprehur më herët gjatë ditës së sotme Basha.

Ndërkohë, Ambasada e SHBA u shpreh e keqardhur që ndryshimet kushtetuese u bënë pa konsensusin e opozitës jashtëparlamentare, ndërsa i bëri thirrje këtyre të fundit që të vijojnë pjesëmarrjen në Këshillin Politik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re