Pas tre ditësh seance maratonë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, propozimin francez për kornizën negociuese të qeverisë me Bashkimin Europian.

 

Miratimi i hap rrugë nisjes së negociatave për Shkupin, por edhe Tiranën, e cila ishte peng e vetos së deritanishme bullgare. Vendimi u kundërshtua fortë nga VMRO-DPMNE, deputetët e të cilës braktisën sallën pak përpara votimit.

 

Sipas opozites, propozimi francez kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe sjell nënshtrimin e Shkupit ndaj kërkesave të Sofjes.

 

Pas miratimit ka reaguar kryeministri Dimitar Kovacevski i cili e ka cilësuar vendimin historik.

 

DIMITAR KOVACEVSKI

KRYEMINISTER I MAQEDONISE SE VERIUT

Sot kemi një kornizë negociuese në të cilën mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas, çështjet historike janë jashtë saj dhe jemi një hap larg konferencës së parë ndërqeveritare që do të shënojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Sot po hapim një mundësi të re për shtetin dhe për prosperitetin e qytetarëve. Shumë shpejt gjuha jonë maqedonase do të dëgjohet zyrtarisht në BE.

 

Por lideri i opozitës Mickoski tha se ky votimi ishte turp.

 

HRISTIJAN MICKOSKI

LIDERI I VMRO-DPMNE

Dua që të them që nuk është kryer asgjë, ne do te vazhdojmë me luftën tonë. Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për futjen e bullgarëve në të. Gjithsej 44 deputetë të VMRO-DPMNE dhe Koalicionit, si garanci për popullin, vërtetuan se nuk do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës me ndërgjegje të pastër dhe të shëndoshë.

 

Mickoski u distancua nga protestat e zhvilluara jashte Kuvendit duke thënë se nuk kane qene te iniciuara nga partia e tij por nga populli i Maqedonise se Veriut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re