Miratohet buxheti i shtetit, Basha, akuza për teatër me fermerët, Balla: Rritëm subvencionet

basha-kuvend-2.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi mazhorancën se me buxhetin për vitin 2022 ul mbështetjen financiare për fermerët.

Në kundërpërgjigje kreu i deputetëve socialistë, Taulant Balla foli për një marrëveshje me fermerët, ku paratë e hequra nga paketa fiskale shkojnë si subvencion i drejtpërdrejtë.

Seanca parlamentare e kësaj të enjteje prishi traditën e debatit të përjavshëm Rama-Basha. Në qendër të diskutimeve u vu protesta e fermerëve ku kryedemokrati akuzoi shumicën parlamentare se kaluar përfitimet ndaj fermerëve duke e cilësuar shfaqje teatrale takimin e Edi Ramës me ta.

“Aq të papërfillshëm janë këta qytetarë për ju, saqë jo vetëm nuk i dëgjoni, por i ofendoni si me teatrin e paradites që ngjall krupë”, tha Basha.

Edi Rama nuk qëndroi në sallën e Kuvendit dhe stafetën e replikës e mori Taulant Balla, i cili tregoi njohuritë e tij me bujqësinë.

“Ne do t’ia çojmë direkt fshatarit. Sot kemi rënë dakord me një pjesë të protestuesve, ky 7.5 milionë dollarë do të shkojë subvencion direkte”, u shpreh Balla.

Për opozitën, bujqësia nuk mbështetet për shkak të korrupsionit dhe për këtë paraqiti një propozim se si mund të zgjidhet.

“Korrupsioni që e keni sofistikuar, e keni inkurajuar dhe e keni shndërruar në mjetin më vdekjeprurës për jetën politike dhe ekonomike të vendit. Vettingu në politikë përfaqëson shpagimin e merituar”, shtoi Basha.

Mungesa e Edi Ramës në sallë uli edhe interesin e Lulzim Bashës i cili menjëherë pas përfundimit të fjalës, u largua nga salla ndërsa diskutimet vijuan me tone të përgjumura dhe me miratimin në tërësi të buxhetit për vitin 2022.

Numërimi i votave nxori në pah edhe divorcin me votë Basha-Kryemadhi. Amendamentet e LSI-së për buxhetin e vitit 2022 u votuan kundër edhe nga demokratët, jo vetëm nga mazhoranca socialiste.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë