Qeveria miratoi garancine dyte sovrane që do t’i vijë në ndihmë biznesit për të plotësuar nevojat financiare, në shumën 15 miliardë lekë. Sipas vendimit fondi është ndarë në bankat e nivelit të dytë dhe pritet që nga java e ardhme biznesi të nisë aplikimet. Ministrja e financave Anila Denaj sqaron se kjo garanci ofron mundësi financimi për të gjitha kompanitë e prekura nga situata e pandemisë. Qeveria do të garantojë 60% te principalit.

Huaja mund të përdoret për investime, por edhe për kapital qarkullues. Pagesat e kësteve do të nisin pas 6 muajve të parë. Sipas të dhënave përfituesit do të jenë ato biznese që nuk kanë detyrime të prapambetura si dhe nuk janë në listën e kreditorëve të këqinj.

Masa e kredisë nuk do të jetë më shumë se 25% e xhiros vjetore të biznesit dhe jo më shumë se 200 milionë  lekë. Burime nga ministria thonë se përfitues do të jenë bizneset më të prekur si ato në turizëm, fason dhe prodhim. Afati shlyerjes do të jetë deri në 5 vjet. Kriza e pandemisë ka vene në vështirësi financiare shumë biznese në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Si pasojë e bllokimit të aktivitetit dhe mungesës se shitjes, sipërmarrja ka problem me aftësinë paguese, ndaj kjo kredi me garanci nga shteti është një stimul më shumë që kompanitë të mund të tejkalojnë këtë situatë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re