Kuvendi i Kosovës me 66 vota pro, ka miratuar projektligjin për kryeqytetin. Dy amendamentet më të diskutuara, para votimit kanë qenë ai për caktimin e Prizrenit si kryeqytet historik, që u miratua me gjithë kundërshtimet, ndërsa amandamenti tjetër që i jepte të drejtë Kuvendit Komunal të Prishtinës që të themelojë Drejtorinë për policinë komunale nuk kaloi dhe kjo mbeti në duart e vet  policisë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar menjëherë pas miratimit të ligjit për kryeqytetin duke thënë se Prishtina u bë me ligj të vet edhe pse jo sipas të gjitha kërkesave të tyre.

“Sot, pas shumë viteve, Prishtina u bë me ligj. Edhe pse jo sipas të gjitha kërkesave tona, Ligji e bën qytetin tonë zyrtarisht Kryeqytet me status të veçantë e me kompetenca shtesë. Falënderoj të gjithë deputetët që e votuan ligjin. Urime Prishtinë!”, shkruan Ahmeti në Facebook.

Edhe kryekuvendari Kadri Veseli ka shprehur gëzimin për miratimin e ligjit në fjalë.

“Jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Kryeqytetin, i cili e ndihmon zhvillimin e Prishtinës, me më shumë buxhet dhe kompetenca. Po ashtu, me këtë Ligj, Prizreni njihet si Kryeqytet Historik i Kosovës”, shkruan Veseli në Facebook.

Edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky ligj i shton Prishtinës nga 4 milionë euro në vit.

“Prishtina u bë me ligj. Kuvendi votoj edhe amendamentin tim që i shton kryeqytetit nga 4 milionë euro në vit – secilin vit – me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës. Për 4 vitet e ardhshme kjo shumë shtesë pritet të kalojë mbi 20 milionë euro. Mjaftueshëm për të ndërtuar disa shkolla, çerdhe e qendra mjekësore nëpër Kryeqytet. Në emër të qytetarëve të Prishtinës i falënderoj të 64 deputetët që votuan propozimin tim. Urime Prishtinë”, shkruan Abdixhiku në Facebook.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko