Bisedoi: Elva Kurti
Refraksioni, strabizmi dhe problemet me shikimin janë duke prekur çdo ditë e më shumë fëmijë. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një nismë që synon kapjen në kohë të problemeve të shikimit tek fëmijët deri në moshën 14-vjeçare. Për të mësuar më shumë rreth shkaqeve të këtyre problemeve ne folëm me mjeken okuliste në Poliklinikën Qendrore Dr. Suzana Zhukën. Doktoresha theksoi se një ndikim të rëndësishëm në rritjen e rasteve të fëmijëve me problemeve me shikimin ka edhe përdorimi i tepruar i pajisjeve teknologjike.
Doktoreshë, në ç’moshë mund të identifikohen problemet me shikimin tek fëmijët?
Problemet me shikimin tek fëmijët mund të identifikohen sapo fëmija lind. Domethënë, mund të identifikohen anomalitë e lindura që kanë të bëjnë me patologjitë okulare siç është retinopatia e prematuritetit e cila ndodh për shkak të lindjes para kohe të bëbit. Kur fëmijët lindin herët, enët e gjakut që ushqejnë retinën zakonisht nuk kanë përfunduar së rrituri. Retinopatia e prematuritetit ndodh kur këto enë në fakt ndalojnë së rrituri për një kohë, pastaj fillojnë të rriten në mënyrë jonormale dhe të rastësishme.
Qeveria ka miratuar paketën e programit kombëtar për kujdesin e shikimit për fëmijët, ndërkohë referuar edhe punës suaj të përditshme cilat janë problematikat më të shpeshta të syrit që hasen në grupmoshën deri 14 vjeç?
Programi synonin depistimin dhe ekzaminimin sa më të hershëm të anomalive të refraksionit. Pra, sa më shpejt të bëjmë diagnostikimin e këtyre problemeve të shikimit aq më shpejt ne do parandalojmë edhe humbjen e shikimit apo komplikacione të tjera që mund të ndodhin, sikur është ambliopia (syri dembel). Ambliopia është termi mjekësor i përdorur kur pamja e njërit sy reduktohet sepse nuk realizohet bashkëveprimi me trurin. Syri duket normal, por për arsye të ndryshme truri favorizon syrin tjetër. Në shumë raste, kjo problematikë zbulohet kur pacienti vjen tek mjeku për të bërë patentën, apo për një arsye tjetër në moshë të rritur.
Vizita tek mjeku okulist duhet bërë përpara se fëmija të nisi klasën e parë. Në grupmoshat e fillores, konstatohen më shumë problemet e hipermetriopisë dhe të miopisë.
- Në etapën e parë identifikojmë problemin,
- Pas identifikimit të problemit, kalohet në etapën e dytë që është ekzaminimi dhe përcaktimi i numrit të syzeve nga okulisti.
- Në etapën e tretë pacienti përcillet tek një mjek më i kualifikuar me specialitet të veçantë siç është oftalmatologjia pediatrike.
- Fëmijët që kanë nevojë për kirurgji kalojnë në QSUT tek klinika e okulistikës ku janë mjekët që bëjnë ndërhyrjen kirurgjikale për dëmtimin e muskujve të syve.
Pra, janë disa etapa që do bëhen për të identifikuar se cilët fëmijë kanë nevojë për t’ju korrigjuar shikimi. 10-vjeçarin e fundit është rritur ndërgjegjësimi i prindërve për të sjellë fëmijët tek okulisti, për shkak të përdorimit të tepruar të teknologjisë. Varësia nga teknologjia është armiku kryesor dhe problemet më të mëdha jo të lindura vijnë pikërisht nga teknologjia.
Si mund ta kuptojë një prind që fëmija i tij ka probleme me shikimin?
Shumica e prindërve arrin ti dallojnë problemet me shikimin tek fëmijët, vetëm në rastet kur problemet janë të dukshme. As prindi dhe as mësuesi nuk e kuptojnë dot sepse duhet të ekzaminohet me aparat. Janë të domosdoshme vizitat periodike tek mjeku okulist.
Çfarë rrezikon fëmija, nëse problemet e shikimit nuk kapen në kohë?
Nëse këto probleme nuk zbulohen në kohë dhe nuk trajnohen në kohë ndodh ambiopia, pra syri dembel që klasifikohet në ambiopi të thjeshtë në ambiopi të mesme dhe ambiopi të thellë. Nëse vjen në fazën e tretë është shumë vonë sepse nuk korrigjohet. Ambiopia korrigjohet deri në moshën dhjetë vjeç. Nëse nuk kapet në kohë që fëmija të marrë syze atëherë fëmija do të shikoj gjithë kohës me njërin sy dhe syri tjetër do dalë jashtë funksionit.
Si ndikojnë problemet me shikimin në cilësinë e jetës së fëmijës?
Që të kemi një jetë të shëndetshme duhet të kemi një shikim të shëndetshëm, prandaj është shumë e rëndësishme që fëmija të ketë një shikim të rregullt, si për periudhën e fëmijërisë si për të ardhmen kur do të ketë një profesion ku do i duhet një shikim i shëndetshëm.
Sa shpesh duhet të vijnë për ri-kontroll fëmijët me probleme me shikimin?
Rikontrolli tek fëmijët që nuk kanë probleme me shikimin është një herë në vit. Ndërsa tek fëmijët e kartelizuar, të ndjekur, duhet të vijë një herë në gjashtë muaj.