Home SHQIPERIA Miratohet Rezoluta në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë

Miratohet Rezoluta në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë

0
Miratohet Rezoluta në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka prezantuar Rezolutën në Konventën Kombëtare duke vënë theksin te Referendumi. Sipas tij, qytetarët mund të shprehin sovranitetin me Referendumin sa herë pushteti i bllokon llogaridhënien.

 

Rezoluta u miratua me unanimitet të plotë.

 

“Në sistemet demokratike populli ka sovranitet të plotë për t’u shprehur dhe vendosur për ligjet e vendit, të zgjedhë me votë të lirë qeverisjen dhe ta kontrollojë në çdo kohë atë.

Në kushtet kur qeverisjet bllokojnë llogaridhënien dhe uzurpojnë të gjitha pushtetet duke dhunuar votën e lirë, qytetarët kanë vetëm një mënyrë demokratike që të shprehin sovranitetin e tyre: REFERENDUMIN!

Duke vlerësuar se:

– Rendi kushtetues është tronditur si kurrë ndonjëherë, gjatë dy dekadave të fundit;

– Qeverisja në mënyrë autokratike bën gjithçka për të grabitur dhe blerë vullnetin e qytetarëve nëpërmjet përndjekjes dhe kërcënimit me privime nga të drejta jetësore të individit apo familjes së tyre, si ato të punësimit, të të ardhurave apo të pronës, duke angazhuar haptazi botën e krimit në grabitjen e pushtetit;

-Qeverisja shkel me arrogancë, haptazi dhe qëllimshëm ligjet, rregullat dhe ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën;

– Kasta në fuqi grabit pronën publike dhe atë private në funksion të pasurimit të tejskajshëm të saj;

-Qeverisja ka eliminuar plotësisht llogaridhënien përpara qytetarëve dhe në çdo nivel të saj;

-Qeveria ka krijuar një ekonomi publike në funksion vetëm të pasurimit të kryeministrit dhe klanit pranë tij, duke sjellë dëme dhe defekte të rënda në funksionimin e qendrueshëm të ekonomisë kombëtare;

-Qeveria ka fuqizuar pak grupe biznesi të lidhura me krimin dhe grupe mediatike në shërbim të verbër të qeverisjes dhe propagandës me qëllim deformimin dhe manipulimin e opinionit publik;

-Kushtetuta është miratuar me Referendum nga populli shqiptar në 22 nëntor 1998 ndërsa amendimet e çështjeve thelbësore të saj nuk janë miraturar me referendum;

-Pas miratimit të Kushtetutës në vitin 1998, mungesa e vullnetit politik ka krijuar situatë të rëndë dhe absurde, duke i mohuar shqiptarëve të drejtën për të vendosur vetë përmes Referendumit për çështje me rëndësi kombëtare;

-Në 24 vite pas miratimit të Kushtetutës asnjë propozim për referendum nuk është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë;

-Politika dhe shumicat qeverisëse kanë bllokuar ushtrimin e drejtëpërdrejtë të vullnetit popullit për të vendosur vetë.

Partia e Lirisë angazhohet për:

-Kthimin e vendit në normalitet demokratik, ku vullneti i qytetarëve zgjedh qeverisjen dhe imponon llogaridhënien e saj, duke zbatuar Referendumin si formën më të lartë të demokracisë direkte dhe si garantor se vullneti i qytetarëve nuk do të merret peng nga keq-qeverisja;

-Marrjen e të gjitha nismave ligjore për miratimin e Ligjit për Referendumet, me qëllim zbatimin real të kësaj të drejte kushtetuese themelore.

-Ndërmarrjen e çdo veprimi për institucionalizimin e referendumit, të këtij instrumenti thellësisht demokratik me efekte të shumëfishta, në drejtim të përmirësimit të qeverisjes, llogaridhënies së saj përpara qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese, angazhimit cilësor civil dhe politik të qytetarëve në politikë-bërje dhe rritjes së besimit të humbur të qytetarit te politika.

-Ndërmarrjen e çdo veprimi ligjor e institucional për miratimin e rregullave sa më të thjeshta të kuadrit ligjor, për organizimin e shpejtë dhe pa pengesa të Referendumeve Kombëtare dhe Lokale.

Duke patur parasysh se Referendumi është instrumenti funksional i vetëm i demokracisë së drejtëpërdrejtë për çdo çështje me rëndësi lokale apo kombëtare,

Partia e Lirisë do të sanksionojë në legjislacion që:

-Çdo ndryshim/amendim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të mos bëhet më vetëm nga deputetët.

Ndryshimet në Kushtetutë duhet të realizohen vetëm përmes Referendumit, që është edhe vullneti i drejtëpërdrejtë i popullit.

Kushtetuta është miratuar nga populli me Referendum në vitin 1998, ndaj çdo gërmë apo nen i ndryshuar i saj duhet të ratifikohet përmes shprehjes së vullnetit të qytetarëve;

– Mega-Projektet kombëtare me vlerë prej qindra miliona eurosh, që zënë një përqindje të lartë shpenzimesh nga Buxheti i Shtetit, duhet të marrin miratimin e popullit. Nuk mundet që një kontratë koncesionare që prek jetën e qytetarëve dhe ndikon në mënyrë të ndjeshme në ekonominë e vendit për periudha të gjata kohore për 30- 99 vjet të miratohet vetëm nga qeveria, ndërkohë që janë qytetarët shqiptarë ata që paguajnë nga xhepi i tyre për këto projekte;

– Ndryshimet në Kodin e Familjes, projektligjet që kanë të bëjnë me institucionin e familjes, prindërimit dhe birësimit, nuk mund të bëhen vetëm nga politikanë apo ligjvënës, që mund të kenë axhenda të caktuara personale, politike apo ideologjike, por duhen vendosur e sanksionuar nga populli përmes Referendumit sepse vetëm populli mund të vendosë mbi vlerat universale dhe morale, traditat e institucionit të martesës, modelin e familjes, dhe mënyrën e prindërimit.

– Të gjitha objektet, zonat, pasuritë kombëtare me vlera universale, sitet arkeologjike, të klasifikuara si trashëgimi kulturore dhe pasuri kombëtare të mos jepen në përdorim, të të tretëve apo me koncension pa miratimin e vullnetit popullor përmes Referendumit.

– Mega-Projektet rajonale të financuara nga Njësitë e Pushtetit Vendor duhen miratuar, përmes Referendumit, nga banorët e njësive vendore ku zhvillohet aktiviteti i këtyre projekteve dhe investimeve, ose përmes referendumeve kombëtare kur çështje të kësaj natyre kanë efekte në nivel kombëtar.

– Përmes Referendumit qytetarët do të vendosin për ruajtjen e identitetit dhe të ardhmen e qytetit të tyre sidomos për objekte dhe site arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore.

Referendumi është instrumenti më demokratik që i garanton lirinë sovranit.

Për Partinë e Lirisë do të jetë gjithmonë e shenjtë e drejta e popullit, për të ushtruar sovranitetin e tij, për të vendosur vetë dhe për të mos ja lënë në dorë pushtetit të radhës fatin e tij dhe të fëmijëve të tij”, tha Blushi.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë