I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohet të martën në mëngjes në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njoftoi Qeveria kosovare të hënën.

Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuar nga BE-ja, do të bisedojë më Lajçakun “për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”, sipas komunikatës.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

Bashkësia ndërkombëtare i kërkon me ngulm Kosovës ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Zyra e kryeministrit nuk ka hollësi të tjera rreth vizitës së të dërguarit të BE-së, apo nëse ai do të ketë takime me të tjerë zyrtarë kosovarë.

Lajçaku e viziton Kosovën një javë pasi, me ftesë të tij, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan më 27 shkurt në Bruksel për të biseduar për çështjen e një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarit serb në gjithë vendin.

Por, Bislimi e kishte refuzuar ftesën e tij për të qenë i pranishëm në atë takim me arsyetimin se nuk bëhej fjalë për një takim ku do të duhej të shkonte ai, sepse, siç tha, “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut” për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Delegacionin e Kosovës e udhëhoqi guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ndërsa Lajçaku paralajmëroi takime shtesë për këtë çështje në të ardhmen.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë i kërkuan Qeverisë së Kosovës që ta pezullojë zbatimin, për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur nga ajo të përshtaten me praktikën e re, sepse pre pas luftës më 1999, komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa në dinarë nga Serbia, përfshirë paga, pensione e shtesa për fëmijë.

Por, kryeministri Albin Kurti këmbënguli se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re