– Monodrama “Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” e interpretuar nga “Nderi i kombit”, aktori i mirënjohur, Mirush Kabashi u shfaq mbrëmjen e djeshme në skenën e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, në Berat.

Mjeshtëria e lartë e interpretimit, mesazhet e bashkëjetesës dhe tolerancës mes komuniteteve të ndryshme fetare, që transmetohen nga kjo monodramë, u pritën ngrohtësisht nga spektatori beratas, i cili, si asnjëherë tjetër mrekullohet dhe përjeton qetësisht emocione të forta, duke duartrokitur herë pas here interpretimin brilant të aktorit të madh, Mirush Kabashi.

Shfaqja e kësaj monodrame në Berat u mundësua nga Bashkia e Beratit dhe fondacioni “Gazmend Toska”.

Novelën e shkruar nga dramaturgu francez Eric Emmanuel Schmitt, e përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës, vetë aktori e ka përshtatur për teatër dhe e ka vënë atë në skenë në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj.

Premiera e veprës, së interpretuar nga Mirush Kabashi, i përket nëntorit të vitit 2008 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në skenën e të cilit aktori durrsak punoi për më shumë se 23 vjet.

Mirush Kabashi, me një karrierë 45-vjeçare, numëron mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi.

Aktori që ka lëvruar me shumë sukses edhe recitimin dhe prezantimet televizive identifikohet më së shumti me kryerolin e Sokratit në monodramën e përgatitur prej atij vetë “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, pamflet i shkruar nga Kostas Varnalis.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi, është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./k.s/ /a.g/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko