Më 6 gusht nisi misionin për të shëtitur gjithë botën me motor. Brenda 4 vitesh Dashnor Balliu ka mision të eksplorojë botën dhe të kthehet aty ku u nis, në Funar të Librazhdit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Vizioni i Pasdites” me moderatoren Brikena Prifti, nga Gjermani ku ndodhej sot, Balliu ka rrëfyer sfidat me të cilat përballet dhe qëllimin e tij përfundimtar, që është marrja e një certifikate nga Rekordet Guinness.

Balliu: Sapo u futa në Gjermani nga Belgjika. Për momentim jam në super gjendje unë, në super gjendje motori.

Si erdhi ideja për të krijuar diçka të tillë?

Balliu: Pasioni nisi si turizëm duke vizituar Evropën para 4 vitesh. Duke udhëtuar mu shtua oreksi që kilometrat t’i bëj më të gjata, derisa arrita që të realizoj 140 mijë kilometra dhe 33 shtete për 4 vite.

Sa shtete ke kaluar deri tani?

Balliu: U nisa më datë 6 gusht nga Librazhdi në orën 18:00. U bënë gati 5 muaj dhe kam arritur të përshkruaj 18 mijë kilometra dhe 13 shtete. Qëllimi i këtij udhëtimi nuk është vetëm të vizitoj shtete të ndryshme, qëllimi është që në çdo shtet të takoj bashkatdhetarë, vëllezër shqiptarë që më ndjekin në rrjete sociale. Postoj çdo ditë planin që do nisem në një shtet dhe realizoj takime.

Sa kohë ndalesh, sa ditë qëndron në një shtet?

Balliu: Varet nga shteti, ka shtete që qëndroj dhe një jave, ka shtete të tjera ku nuk takoj shqiptarë, qëndroj 1-2 ditë.

A ka qenë dakord familja?

Balliu: Bëra një përgatitje me veten fillimisht dhe më pas me familje. Ia shpjegova dhe i fola për këtë udhëtim të gjatë. Nuk është e lehtë por do t’ia arrij qëllimit avash-avash.

Si je përgatitur për këtë udhëtim?

Balliu: Në radhë të parë kam marrë masa psikologjike. Unë e kam bërë qëllimisht udhëtimin në dimër, që të provoj edhe të ftohtin dhe motorin me zinxhirë.

Cili ka qenë momenti më i vështirë?

Balliu: Moment të sikletshëm nuk kam pasur, por pardje u largova nga Belgjika, më rrëshqiti motori dhe shyqyr Zotit e mbajta, e futa në rugë, nuk frenova. Motori im është gati 500 kg dhe duket të kesh shumë kujdes në rrugë. I bëj kontrolle herë pas here.

Sa shpenzime ka?

Balliu: Shpenzime ka, por kam marrë ndihma nga shqiptarë të ndryshëm. Nëse llogaris një koso ditore, shkon 30-40 euro, por ka raste kur bëj kilometra të gjatë shkon 50 euro dita. Unë në hotele nuk fle pasi ngre çadrën, përveçse momenteve kur më ofrojnë hotel.

Çfar pret të marrësh në këmbim?

Balliu: Unë pres të marrë certifikatën e Guinness dhe dua të shijoj çdo kilometër. Gjithashtu dua të shijoj respektin e shqiptarëve kudo që shkoj.  Kur gjen respektin e njerëzve që i takon rrugës harron lodhjen dhe të ftohtin./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re