Seria e zhdukjeve nisi pasi prezantuesi dhe mjeku i njohur televiziv Michael Mosley, 67 vjeç u zhduk gjatë pushimeve me familjen në ishullin Simi.

Policia nisi menjëherë një kërkim masiv për të dhe pas disa ditësh u gjet trupi i tij i pajetë. U raportua më pas se kishte dalë nga një shteg i shënuar gjatë ecjes në vapë, u rrëzua dhe vdiq.

Që atëherë, rastet e turistëve të humbur në fqinjin jugor shqiptar, i cili tërheq një numër të madh turistësh nga e gjithë bota gjatë verës, në mënyrë të pashpjegueshme kanë filluar të shtohen. Pas Mosley-t, një holandez 74-vjeçar vdiq gjatë shëtitjes në ishullin Samos.

Ai doli për një shëtitje dhe nuk u kthye më. Trupi i tij u gjet në një luginë në të njëjtën ditë kur u raportua i zhdukur. Pesë të vdekur deri më tani, tre të zhdukur. Që nga fillimi i sezonit veror, dy persona kanë vdekur në ishullin më të madh grek të Kretës.

I pari është një francez 70-vjeçar, i cili gjithashtu ka dalë për shëtitje. Viktima e dytë është një 80-vjeçar, identiteti i të cilit nuk dihet.

Një amerikan i zhdukur në ishullin e vogël të Matrakit, afër Korfuzit, pësoi të njëjtin fat si ata të dy. Trupi i tij u gjet në plazh të dielën.

Policia greke është ende në kërkim të tre personave. Njëri prej tyre është Eric Albert Kalibet, 59 vjeç nga SHBA, i cili u zhduk në ishullin Amorgos të martën e kaluar.

Ky sherif në pension e njeh shumë mirë ishullin pasi ka shumë vite që pushon atje.

Që nga e premtja e kaluar, policia është vënë në kërkim të dy femrave franceze të zhdukura në ishullin Sikinos. Kërkimet për to kanë nisur pasi nuk janë kthyer më në hotelin ku kishin paguar strehimin.

Një arsye e mundshme për këtë seri të papritur vdekjesh dhe zhdukjesh është pakujdesia e disa turistëve ndaj vapës ekstreme që mbizotëron në Greqi dy javët e fundit.

Në shumë vende temperaturat ditët e fundit kanë kaluar 40 gradë. Kreu i ekipit të shpëtimit në ishullin Samos, Dimitris Katakis, u bën apel turistëve të jenë të arsyeshëm.

Disa njerëz dalin jashtë në 41 gradë pa kapele, kjo është e palogjikshme,” tha ai.

Manusos Stavrakis, një udhërrëfyes nga Kreta, thotë se shumë njerëz e mbivlerësojnë forcën e tyre.

“Disa njerëz e nisin udhëtimin me rroba krejtësisht të papërshtatshme, nuk mbrohen në mënyrë adekuate nga dielli dhe marrin shumë pak ujë me vete. Përveç kësaj, shumë turistë nuk janë të njohur me këtë zonë. Nëse humbisni gjatë ecjes, mund të rrezikoni jetën”, paralajmëron ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re