Dy ditë pas sekuestrimit të rreth 3 .4 milionë eurove në dy automjete tip Toyota Yaris në portin e Durrësit, Prokuroria ka seleksionuar një pjesë të valutës dhe e ka dërguar në laboratorin shkencor.

 

Burime pranë organit të akuzës thanë se këto para u çuan për ekzaminime për të bërë të mundur gjetjen e gjurmëve të gishtërinjve në një kohë që të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin.

 

Mësohet se pas marrjes së dëshmive, shoferi Agim Ceka, pronarët e mjetit transportues Klevis Cani dhe Edi Lika si dhe Alban Mollaymeri, nuk kanë pranuar përfshirjen e tyre në trafik me argumentin se ata bëjnë të mundur transportin e më pas dorëzimin e automjeteve dhe jo kontrollin e tyre.

 

Pjesa e mbetur e parave të padeklaruara është depozituar në Bankën e Shqipërisë deri në fund të procesit.

 

Nga ana tjetër, Prokuroria mësohet se ka tentuar bashkëpunimin me njërin prej të arrestuarve, por ende pa rezultat.

 

Deri në mbyllje të fazës së hetimeve, masa e arrestit për të ndaluarit do të bëhet në Durrës e më pas dosja do t’i kalojë për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda ku do të ngrihet dhe akuza e grupit të strukturuar kriminal.

 

Por dy personat kyç për zbardhjen e rrjetit kriminal janë Alfred dhe Elvis Vladi.  Dy kushërinjtë që u shpallën në kërkim nga Policia e Shtetit janë porositësit e automjeteve  nga Belgjika.

 

Njëri prej tyre Elvis Vladi është person me precedent penalë i arrestuar në vitin 2015 në Angli, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte kokainë. Grupi i arrestuar nga autoritete Britanike u kap me 16 kilogramë kokainë,  por Elvis Vladi u shpall i pafajshëm nga gjykata për mungesë provash.

 

Hetuesit thanë për Vizion Plus se kushërinjtë nuk rezultojnë se janë larguar jashtë territorit të Shqipërisë,  ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re