Mbrëmjen e të premtes së shkuar, 4 turistë rusë u gjetën të pajetë në ambientet e brendshme të hotelit ku po qëndronin për pushime, në zonën e plazhit në Qerret (Kavajë).

Viktimat ishin familjarë mes tyre, burrë e grua, vajza e tyre dhe i shoqi i kësaj të fundit. Fillimisht u raportua si shkak, vdekja prej asfiksisë në sauna, por më tutje u hodh poshtë pista, pasi të ndjerët u gjetën jashtë ambienteve të saunës, në pishinën dimërore.

Këtë të hënë prokuroria e regjistroi vdekjen e turistëve si vrasje. Edhe pse është herët për të dhënë një konkluzion, regjistrimi si vrasje nënkupton zgjerimin e hetimit edhe në pista të tjera me sfond të qëllimshëm apo edhe kriminal.

Trupat e të ndjerëve ndodhen ende në institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa sot atje kanë shkuar përfaqësues të Ambasadës Ruse në Tiranë. Ende nuk ka dalë autopsia për turistët rusë.

Një tjetër pistë hetimi e cila po ndiqet është ajo e një asfiksie për shkak të përdorimit të klorit në pishinë, kjo pasi pishina ishte sistemuar e bërë funksionale brenda ditës për kërkesë të turistëve në fjalë.

Përveçse autopsisë, janë marrë analiza nga uji i pishinës dhe ambienteve përreth nga ana e autoriteteve.

Deri më tani përfaqësuesit e Rusisë nuk kanë bërë komente në lidhje me çështjen, me përjashtim të një njoftimi bërë nga ambasada pak ditë më parë, ku thuhej se pala ruse mbështeste një hetim të plotë për ngjarjen tragjike.

Ndërkohë një sërë media të huaja kanë përcjellë lajmin. Britanikja e ‘The Sun’ shkruan se familja katër anëtarëshe u gjet e vdekur në një hotel me 5 yje, pas dyshimeve për asfiksi.

Media po ashtu ka publikuar pamjet e të ndjerëve, Sergey Burenkov 60 vjeçar, me të shoqen Natalya 58 vjeçe, vajzën e tyre Katya 31 vjeçe, me partnerin e saj Nikita Belousov, 37 vjeçar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re