Skip to content

Misteri i kraterit Darvaza, si i hapën sovjetikët “Dyert e Ferrit” në shkretëtirën ‘Karakum’

I njohur nga të gjithë si “Dyert e Ferrit”, ky krater masiv në shkretëtirën e Turkmenistanit prej dekadash nuk ndal së nxjerri zjarr, duke u kthyer në një ‘magnet’ për kuriozitetin njerëzor.

Ditët e fundit qeveria e Turkmenistanit ka vendosur që krateri Darvaza në shkretëtirën Karakum të shuhet. Lideri i Turkmenistanit argumentoi se vendi nuk ka pse të harxhojë gazin natyror, por përkundrazi mund ta eksportojë e jo ta lërë të digjet thjesht për atraksion turistik.

(Image credit: Dale Johnson/Getty Images)

E në kushtet kur krateri mund të shuhet apo mbyllet, misteri i krijimit të tij është kthyer sërish në vëmendje… Si u krijuan “Dyert e Ferrit” dhe çfarë ndodhi dekada më parë, në këtë vend të shkretuar?

Krateri Darvaza ndodhet në shkretëtirën Karakum, shkretërirë e cila zë afro 70% të të gjithë Turkmenistanit. Në shkretëtirën me sipërfaqe 350 mijë kilometra katrorë, mund të ecësh për ditë me radhë, e të mos shohësh asgjë përveçse rërës. Por nëse do të ecësh në zonën veriore të saj, mund të përballesh me një vend, nga ku flakët shpërthejnë prej të paktën 40 vitesh pa pushuar.

Një prej historive është se, në vitin 1971, disa gjeologë sovjetikë që po shponin në shkretëtirë për të gjetur naftë, goditën aksidentalisht një xhep me gaz natyror. Kjo bëri që toka atje të kolapsojë dhe krijojë një gropë të madhe. Në mënyrë që metani që dilte të mos shkonte në hapësirë, gjeologët i vendosën flakën, me idenë se gazi do të “mbaronte” brenda pak javëve.

Por kur një eksplorues kanadez shkoi atje në vitin 2013, ai zbuloi se në të vërtetë askush nuk e dinte me saktësi se çfarë e kishte krijuar kraterin, i thellë 70 metër dhe i gjerë 30 metra.

Ekslporuesi kanadez, i pari qe hyri ne kraterin Darvaza ne 2013

Disa gjeologë turkmenë i treguan eksploruesit George Kourounis, se krateri ishte krijuar që në vitet ’60, nxirrte gaz e baltë për vite me radhë e askush nuk ishte marrë me të… derisa në fillim të viteve ’80, sovjetikwt i vunë zjarrin.

E pyetjes se çfarë ndodhi me të vërtetë, gjasat janë që nuk do të kemi një përgjigje të dokumentuar, kjo pasi në kohën e Luftës së Ftohtë, dokumentet për kërkimin, gjetjen e nxjerrjen e hidrokarbureve e gazit natyror, mbaheshin sekrete nga Bashkimi Sovjetik.

E pikërisht prej mungesës së dokumenteve, ka ende diskutime sesi e kur u krijua krateri. Por gjithsesi studiuesit bien dakord (shiko videon më poshtë), se sovjetikët kanë përdorur një teknikë e cila përdoret ende edhe sot, duke i vënë zjarrin gazit. Kjo sepse dalja e pakontrolluar e gazit në hapësirë mund të sjellë pasoja serioze, veçanërisht në rastin e kraterit Darvaza, ku gazi mund të akumulohej në gropë e një aksident mund të sillte shpërthime të fuqishme.