Në vitin e largët 1942, kohë në të cilën bota ishte e përfshirë nga Lufta e Dytë Botërore, një punonjës pyjor në Indi zbuloi një liqen akullnajor, në lartësitë e Himalajeve, plot 4800 metër mbi nivelin e ujit.

Uji i liqenit, krejtësisht i kristaltë, ‘nxihej’ nga disa objekte. Liqeni në fakt ishte i mbushur me kocka njerëzish. Qindra prej tyre.

Fillimisht autoritetet e asaj kohe dyshuan se trupat i përkisnin një grupi ushtarësh japonezë, të cilët në atë kohë kishin tentuar të infiltroheshin në Indi përmes Himalajeve. (Në atë kohë India kontrollohej nga Britania e Madhe.)

Që nga ajo kohë, një sërë teorish dolën për të shpjeguar misterin e këtij liqeni, i quajtur Rupkund. Ideja e një batalioni me ushtarë ra poshtë, pasi në liqen u gjendën dhe skeletë që i përkisnin grave e fëmijëve.

 E me kalimin e dekadave e përmirësimin e teknikave të datimit, pak vite më parë studiuesit morën në analizë një sërë kockash e skeletesh. Në liqen e përreth tij gjendeshin më shumë se 500 skelete.

Zbulimi që nxorrën në pah analizat për datimin e kockave, vetëm sa e shtoi edhe më shumë misterin. Analizat e ADN-së treguan se skeletet vinin nga të paktën, tre grupe të ndryshme. Disa nga skeletet origjinonin nga India, një skelet rezultoi se kishte origjinë nga lindja e largët e Azisë, e për çudinë e madhe të studiuesve, dhjetëra të tjera skelete origjinonin nga zona e Mesdheut.

Shumë studiues nisën të spekulojnë se gjetjet mund të lidhen me një mbretëri greko-indiane të shekullit të dytë P.e.s (para erës sonë). Por shumë shpejt kjo hipotezë u hodh poshtë, pasi sipas datimit me karbon, rezultoi se skeletet më të vjetra ishin të shekullit VII e X (vitet 600-900), ndërsa më të rejat i përkisnin shekullit XVII (vitet 1700). Diferenca e madhe në kohë mes këtyre skeleteve vijon ende ta mbajë misterin e këtij liqeni. Kur vera vjen, liqeni akullnajor shkrin dhe prej ujit zbulohen skeletet, por ende jo misteri se përse në këtë vend ndodhen mbetjet e qindra njerëzve.

Burimi: BBC/ Përshtati: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re