Një prej vrasjeve më të bujshme të ish-drejtuesve të Policisë së Shtetit që “tronditi” vendin ishte ajo e Artan Cukut.

Por, me indentifikimin e autorit që pranoi ekzekutimin e tij duhej  gjetur porositësi”, a mund të quhet kjo një çështje e mbyllur?…

Ka shumë pikëpyetje për mënyrën si u hetua dhe si u arrit të shkohej deri tek autorët dhe porositësit.

Të gjithë menduan fillimisht se vrasja e Cukut kishte të bënte me një konflikt të hershëm. Vrasja e një të arrestuari prej tij në sallën e shoqërimit pranë komisariatit numër 3 në Tirane. Një ngjarje, kjo që mbarti shumë mistere, por që në fund rezultoi një vetvrasje.

Artan Cuku në atë kohë oficer i lartë karriere në polici u shpall i pafajshëm, ndërkohë që ndërmjetësoi për vite për pajtim gjaqesh me familjen e viktimës.

Duke iu referuar dosjes gjyqësore, zbulimi ADN-së u bë falë autoriteteve zviceriane ku Mikel Shallari, ka vuajtur dënimin për trafik lëndësh narkotike dhe shokë qelie ka patur vëllain e personit që u vetëvra aksidentalisht në zyrën e të ndjerit Artan Cuku.

Por, kjo vrasje e bujshme duhet të kishte me patjetër një autor dhe një porositës dhe në këtë moment del në skenë emri i Bledar Jambellit.

MIKEL SHALLARI

Shallari i përmendi prokurorëve emrin e Bledar Jambellit, i njohur ndryshe si Rikard Muho, 38 vjeç nga fshati Mbrostar i Fierit. Jambelli ka qenë i arrestuar nga policia, si vrasës me pagesë në Dhjetor të vitit 2012 gjë për të cilën nga verifikimet tona ka fituar pafajësi në të treja shkallët e gjykimit.

Ky arrestim, sipas Shallarit ka qenë motivi që Jambelli ka kërkuar ekzekutimin e Artan Cukut, pasi me iniciativën e tij ishin rihapur hetimet për disa vrasje në Vlorë. Një vit më pas, në 2013, Artan Cuku u lirua nga detyra me urdhër të Drejtorit të atëhershëm të Policisë, Artan Didi. Mos ky është shkaku, se përse duhet një autor për vrasjen e Artan Cukut?

Më 31 dhjetor, familja e të ndjerit Artan Cuku,     por edhe opinioni publik nëpërmjet medias, do të mësonte mbi arrestimin e të dyshuarit kryesor për porositjen e vrasjes së ish-oficerit të lartë të policisë.

Nëpërmjet Interpolit ishte bërë i mundur arrestimi në Athinë i shtetasit Bledar Jambelli, 38 vjeç, lindur në Fier.

 “Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë / Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier”, thuhej në  njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit:

Në këtë njoftim, sqarohej dhe arsyeja e arrestimit të tij, si porositësi për vrasjen e Cukut.

“Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e Cukut. Nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë”, thuhet më tej.

Emri i 38 vjeçarit u bë i njohur për prokurorët e Krimeve të Rënda, pas dëshmisë së një prej autorëve të vrasjes së ish-komisarit. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga policia më datë 13 qershor të vitit të shkuar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim.

Prokuroria për Krime të Rënda, Tiranë

Vrasësi me pagesë marrëveshje me Prokurorinë

Si autor i vrasjes së Cukut u identifikua dhe u provua shkencërisht, shtetasi Mikel Shallari, 24 vjeç nga Kuçova dhe banues në Tiranë.

Ai pranoi marrëveshjen me prokurorinë e Krimeve të Rënda duke rrëfyer se vrasja ishte bërë përkundrejt një pagese dhe se porositësi ishte Jambelli.

Per këtë Mikel Shallari, përfitoi nga  akt- marrveshja me prokurorin Henrik Ligori, dënimin minimal për një “vrasës me pagesë”, ate me 10 vite burgim. Bashkëpuntori i drejtësisë kishte pranuar krimin ndërsa rrëfeu se kush ishte porositësi dhe bashkëpunëtorët e tjerë në këtë ngjarje.

Akt- marrëveshja e përpiluar nga organi i akuzës kishte edhe dakordësinë e të penduarit të drejtësisë, Mikel Shallari i cili akuzohet për “vrasjen e punonjësit të policisë së shtetit” e kryer në bashkëpunim me Bledar Jambellin dhe Kristaq Leci (Gerti Kajo) dhe për “mbajtje pa leje të armeve luftarake”. Shallari, ekzekutori i kryekomisarit Artan Cuku pranoi të rrëfejë njeriun që e pagoi për vrasjen. Për vrasjen e Artan Cukut ai deklaroi se u pagua 3 mijë euro paradhënie. Pjesën tjetër të parave do ta merrte pasi të mbaronte punë.

Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.

Por a tha të vërtetën ekzekutori i Artan Cukut?… Çfarë fshihet pas kontakteve të tij me persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje?…

A ishte vërtet Artan Cuku armiku i një prej shumë personazheve të botës së krimit, të arrestuar e të liruar nga gjykata për mungesë provash?

Pse në këtë çështje nuk u përfshi qëndrimi në një qeli i ish- familjarëve të viktimës së vrarë në zyrën e Cukut, me autorin e vrasjes së ish-komisarit?… Çfarë fshihet pas dëshmive të befta të Shallarit dhe deklarimit të emrit të një vrasësi për Cukun?…

Një gjë është fakt, Artan Cuku kishte një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit. Ai udhëhoqi shumë operacione si dhe arrestoi persona me rrezikshmëri të lartë të dyshuar për vrasje, trafiqe dhe krim të organizuar. Por në asnjë rast, nuk u provua se jeta e tij ishte vënë në rrezik për shkak të detyrës.

Sot , policia dhe drejtësia ka një vrasës, një porositës, për një nga krimet më enigmë të këtij 10 vjeçari në radhët e Policisë së Shtetit. E vërteta për këtë ngjarje është “mbuluar” tashmë me verdikt gjykate, që rrjedh nga një akt-marrëveshje mes të një vrasësi të penduar dhe një prokurorie që kërkon të marr vlera.

Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re