Zhdukja në rrethana misterioze e shefit të policisë së Antitrafikut për zonën e Ulqinit dhe Tivarit në Malin e Zi, Rudolf Elezoviç, vë në lëvizje edhe autoritetet shqiptare.

Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë hapur hetimet pas kontakteve me homologët malazezë se 54-vjeçari u kishte thënë familjarëve se po udhëtonte drejt Shqipërisë.

“Më tha se do të shkonte deri në Shkodër dhe do të kthehej shpejt”, ka rrëfyer bashkëshortja e tij përpara hetuesve. Kontakti i tij i fundit është lokalizuar më 27 Maj, pranë kufirit në zonën mes fshatrave Pentar dhe Reç. Më pas telefoni i tij ka qenë i fikur.

Policia Shqiptare ka nisur kërkimet në këtë zonë pas dyshimeve se mund të kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale.

Por nuk përjashtohet as pista e një ngjarjeje kriminale, ndaj hetuesit janë duke kërkuar personat që kanë pasur kontakte të ngushta me Elezoviç. Ata që janë pyetur kanë qenë familjarët dhe kolegët.

Sipas asaj që shkruajnë mediat malazeze, 54-vjeçari kishte kryer udhëtime të shumta kohët e fundit drejt Shkodrës. Është e paqartë nëse ai ishte duke punuar për ndonjë hetim që lidhet me trafiqet kriminale apo udhëtimet kanë qenë personale.

Elezoviç ka mbajtur për 6 vjet detyrën e shefit të policisë së Ulqinit derisa u zëvendësua në 2014-n. Prej asaj kohe ai është angazhuar në policinë kufitare malazeze me detyrën e Shefit të Departamentit Kundër Kontrabandës.