Shumica e rasteve të të ashtuquajturës sindroma e Havanës mund të shpjegohen me shkaqe mjedisore, kushte të padiagnostikuara shëndetësore ose stres, dhe jo me veprime të ndërmarra nga një fuqi e huaj, raportoi New York Times, duke cituar zyrtarë nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA (CIA).

Shumica e 1000 rasteve të sindromës Havana të ekzaminuara nga hetuesit amerikanë janë të shpjegueshme dhe tregojnë se nuk ka gjasa që sëmundja misterioze të jetë shkaktuar nga Rusia apo ndonjë kundërshtar tjetër i huaj, thanë zyrtarët e CIA-s për gazetën, duke përshkruar gjetjet e përkohshme.

Gjithashtu u njoftua se CIA po vazhdon hetimet e saj për më shumë se njëzet raste të pashpjeguara, përkatësisht sëmundjen e supozuar misterioze që ka prekur diplomatët amerikanë, zyrtarët dhe anëtarët e familjeve të tyre jashtë vendit – në Vjenë, Paris, Gjenevë dhe Havanë.

Përveç këtyre rasteve, një numër tjetër i konsiderueshëm mbetet i pashpjeguar, citon New York Times një analizë e një zyrtari të CIA-s.

Sindroma tërhoqi për herë të parë vëmendjen e publikut në vitin 2016, pasi dhjetëra diplomatë në ambasadën amerikane në Havana u ankuan për migrenë, nauze, kujtesë të dobët dhe marramendje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re