Nga Ylli Pata

Ka një panoramë të paqartë mbi atë që po quhet si “mision pajtimi i PPE-së” ndërmjet Lulzim Bashës e Sali Berishës në Partinë Demokratike. Madje disa reporterë, natyrisht duke ju referuar burimeve në selinë blu, kanë folur për “ardhje me porosi” nga David Mekallister, i cili është kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, dhe një nga politikanët më të lartë të CDU-së gjermane dhe Partive Popullore Europiane.

Njeriu nga Europa, i cili ndodhet prej dy ditësh në Tiranë dhe po zhvillon takime me protagonist të sherrit dhe përplasjes për kreun e PD-së quhet Elmar Brok.

Një politikan veteran dhe mjaft i njohur i CDU-së-partisë së Angela Merkelit, ndërkohë edhe ish-kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

I afërt prej kohësh me Partinë Demokratike, Brok, i cili është dy vjet më i vogël se Sali Berisha,  prej vitit 2019 është larguar përfundimisht nga politika aktive, ku shërben si lobist, këshilltar, apo edhe aktivist në organizata jo fitimprurëse, sipërmarrje të ndryshme, universitete etj.

Elmar Brok, është pajtuar si lobist nga Partia Demokratike që prej fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Padyshim që, zoti Brok është një nga politikanët me peshë të CDU-së gjermane por edhe PPE-së, ku ka qenë euoparlamentar që nga viti 1980 deri 2019-n.

I lindur në qytetin Verl, ai ka qenë drejtues i CDU-së në landin e North Rhine-Westphalia, që është edhe landi më i populluar në të gjithë Gjermaninë, që do të thotë dhe pasha specifike e votave që menaxhonte ai si drejtues politik, e ka kthyer në një emër të rëndësishëm. i cili ka punuar me disa breza liderësh të CDU-së që nga Helmut Kohli, i cili me shaka thoshte për Brok, se “CV e tij është shumë e shkurtër: ka lindur i martuar”.

Një frazë që i jep akoma më shumë cilësitë e një konservatori të qendrës së djathtë tipik, ku familja tradicionale konsiderohet e rëndësishme.

Por për të ardhur tek misioni i tij i fundit në PD, jo thjesht duket, por është abuzim nëse quhet se kemi të bëjmë me një dërgatë të Partisë Popullore Europiane, e cila nuk ka ndërhyrë në çështjet e brendshme  apo konfliktet e partive partnere.

PPE nuk është Kominterni i Leninit e Stalinit që dërgonte emisarët në “partitë motra” për t’i “injektuar më me forcë marksizëm-leninizmin dhe diktaturën e proletariatit”.

Si një aleancë partish të lira, konservatore të qendrës së djathtë, PPE është institucionaliste dhe në këtë rast njeh të gjitha vendimet e organeve të Partisë Demokratike. Natyrisht që monitoron, sidomos zhvillimet në parti të ndryshme të aleancës dhe merr edhe vendime.

Siç u mor vendimi për të ngrirë përkohësisht partinë e Viktor Orbanit për qëndrime autieuropiane, apo paralajmërimin për të përjashtuar PD-në kur dogji mandatet dhe nisi sulmet e dhunshme ndaj Parlamentit dhe kryeministrisë.

E ç’është më kryesorja, nuk del kurrë kundër vendimeve zyrtare që kanë marrë institucionet e një partie aleate. Gjatë vizitës private në Tiranë, Elmar Brok ka takuar Sali Berishën, i cili është përjashtuar zyrtarisht nga Partia Demokratike, si dhe Jozefina Topallin, që ishte kryetare e një partie tjetër, të cilën e drejtoi deri në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar.

Ka shumë gjasa, që i thirrur nga Basha, ai të ketë marrë në trajnim deputetët dhe drejtuesit e PD-së, (që kanë nisur një sherr të egër mes tyre), me modelin e fumksionimit dhe zgjidhjes së konflikteve tek partitë perëndimore, përvojë që ai e ka me okë.

Ndërkaq, takimet me Berishën e Topallin janë në suazën e një politikani të tërhequr, pra të një personi privat. Por nuk është çudi të ketë sjellë zëra që ai ka dëgjuar nga shumë lart në Bruksel dhe Berlin. E në këtë rast, me siguri që ai ka mundësi të dëgjojë, por nuk duket se bëhet fjalë për ndërmjetësim.

Heqja dorë e ultimatumeve ndaj Bashës prej Grida Dumës dhe Saljanjit, që i kishin dhënë 24 orë kohë, po, që duket se mund të ketë ardhur si këshillë e një “politikani rrace”. I cili jo vetëm e di çdo të thotë peshë politike pa bërtitur fare, pasi e ka pasur për vite e vite, e është larguar nga politika kur e ka parë që cikli i tij kishte përfunduar.

Nuk përjashtohet që pikërisht përvojën e tij, t’ja ketë përballur edhe Sali Berishës apo edhe Jozefina Topallit…

TemA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re