Mereme Sela, mjeke në QSUT, është regjistruar si e vetmja kandidate që i del përballë Sali Berishës në garën për drejtimin e Partisë Demokratike, në një proces që ka ngjallur vëmendje për profilin e saj jo politik.
Sela, e cila nuk ka mbajtur më herët poste drejtuese në strukturat e PD-së, ka deklaruar vetë se nuk është figurë e njohur politike, por se garon me idenë e një “figure të re” në politikë.
Ajo është mbështetur edhe nga sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili ka theksuar se ajo është anëtare e partisë dhe se plotësimi i kritereve është çështje institucionale.
Sela ka thënë se është pjesë e PD që nga viti 2014 dhe se ka marrë pjesë edhe në primaret e mëparshme në Durrës, ku ka marrë një numër të vogël votash, për të cilat ka ngritur edhe ankesa për procesin.
Duke folur për kandidimin e saj, ajo ka theksuar se fokusi i saj është te shëndetësia dhe arsimi, ndërsa ka shtuar se nëse anëtarësia e PD kërkon “një figurë të pastër dhe pa përfshirje politike të mëparshme”, ajo është e gatshme të përfaqësojë këtë alternativë.
