Mjeku Tritan Kalo ka ndarë një moment pushimi gjatë punës së tij në spitalin Infektiv.

Bashkë me kolegët ai shfaqet jashtë petkut të veshjeve të “rënda” mbrojtës teksa shijojnë ëmbëlsira të dërguara nga disa pacientë që tashmë janë shëruar nga koronavirusi dhe kanë lënë spitalin.

Kalo bën thirrje se duhet të vijuar kujdesi për shëndetin dhe zbatimi i këshillave me kurajon se së bashku do ia dalim mbanë.

“Me sytë drejt të ardhmes e në vijim të “rihapjes socio-ekonomike” të vendit…jeta e sotme nuk ka vetëm momente “të Distancimit Social” por ajo ka edhe momente “të Rishoqërizmit”….

Ndonëse gjendemi për çdo ditë në vijën e “zjarrit” të sfidës me Covid-19, i krijomë vetes mundësinë për pak minuta shplodhjeje e bisedë mes kolegësh e miqsh “të pa ngarkuar si zakonisht me veshjet mbrojtëse”, të cilat janë të domosdoshme për mbrojtjen tonë nga infektimi me Sars-Cov2/Covid-19, përgjatë vizitave dhe manipulimeve me të sëmurët tanë….

Ëmbëlsinë këtyre minutave shplodhëse ja shtoj edhe një mesazh mirënjohje, nga dy ish të sëmurët tanë Taho & Lili, që na dërguan disa “zupa”. Mirënjohja e shprehur prej tyre me këtë gjest fisnik, ndaj përkujdesit për ta prej Ekipit të Pavjonit të Parë të Shërbimit Infektiv në QSUT, është tipar i kulturës qytetare që ata bartin e përfaqësojnë, si dhe i respektit për kontributin e mbarë mjekëve, infermierëve, farmacistëve, imazheristëve, laboranteve, sanitareve, shoferëve, barrelmbajtësve, punonjësve të rendit, etj., për t’u shërbyer në kohë e sa më mirë të prekurve nga kjo sëmundje, shpesh dhe jetëmarrëse….momente të tilla “të Rishoqërizmit”, përjetohen po aq gëzueshëm e me plot dëshirë edhe para një kafeje me Farmacistet, Administratoren e Teknicienët tanë të Imazherisë…..

Për asnjë çast, ne nuk harrojmë se jemi këtu, për tju ndihmuar në përballjen tuaj jo të lehtë me këtë “flamë mbarëbotërore”….Bashkëqytetarë, vijoni të bëni kujdes për shëndetin tuaj…Ju lutem na dëgjoni dhe zbatoni pa asnjë hezitim këshillat tona…Ju duam ndaj edhe ju duhet të mirëvlersoni vështirësitë dhe sakrificat tona….së bashku ne do ja dalim mbanë!!!”, shkruan Tritan Kalo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re