Vdekja e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis gjatë një procedure plazmafereze ka marrë vëmendje edhe jashtë Greqisë, ndërsa rasti ka hapur diskutime mbi sigurinë e kësaj procedure dhe kushtet në të cilat ajo kryhet.
Duke iu referuar konkretisht klinikës private në Kolonaki ku ndodhi ngjarja, Green thekson se, nëse informacionet e raportuara konfirmohen nga hetimet dhe gjykatat, bëhet fjalë për mungesa që ai i konsideron thelbësore për një program të sigurt afereze.
Ai shpjegon se sistemi INUSpheresis, i përdorur në rastin e Mazonakis, është një formë e plazmaferezës me filtrim të dyfishtë, ku plazma ndahet nga qelizat e gjakut, kalon përmes një filtri të dytë dhe më pas i rikthehet pacientit.Ndërsa në shkëmbimin terapeutik të plazmës, sipas tij, plazma hiqet dhe zëvendësohet me një solucion të freskët albumine. Green thekson se të dhënat shkencore specifike për INUSpheresis janë të kufizuara, duke iu referuar literaturës së publikuar deri tani.
Mjeku amerikan ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si disa klinika mund të ofrojnë procedura të tilla, duke argumentuar se posedimi i një pajisjeje afereze nuk është i barabartë me specializimin në përdorimin e saj. Ai paralajmëron se trajnimi i stafit dhe përgatitja për emergjencat janë elementë vendimtarë.
Duke diskutuar shkaqet e mundshme të një incidenti fatal gjatë procedurës, Green përmend disa skenarë, mes tyre përdorimin e një solucioni të papërshtatshëm zëvendësues, mungesën e analizave laboratorike para trajtimit, pajisje të papërshtatshme ose mosreagimin ndaj shenjave paralajmëruese.
Një tjetër pikë që ai nënvizon është vendimi për të mos kryer procedurën kur pacienti paraqet simptoma të reja. Sipas Green, konfuzioni i papritur, vështirësia në të folur, një kollë e re, mbajtja e pashpjegueshme e lëngjeve apo vështirësia në ecje duhet të çojnë fillimisht në një vlerësim urgjent mjekësor dhe jo në vazhdimin automatik të trajtimit të planifikuar.
Megjithatë, Green thekson se fakti që një arrest kardiak ndodh gjatë një procedure nuk provon në vetvete se procedura e ka shkaktuar atë. Sipas tij, ajo që mund të përcaktojë nëse një incident kardiak përfundon fatalisht janë minutat e para dhe aftësia e ekipit për të identifikuar menjëherë problemin, për të ndërprerë procedurën, për të nisur reanimimin dhe për të aktivizuar shërbimet e urgjencës.
Në rastin e Mazonakis, autopsia, sipas informacionit të cituar në raportim, nuk kishte evidentuar një problem të zemrës. Shkaqet dhe përgjegjësitë konkrete për vdekjen e këngëtarit mbeten objekt i hetimeve dhe procedurave përkatëse.
Ndër rreziqet e mundshme gjatë procedurave të heqjes së plazmës, Green përmend uljen e kalciumit të jonizuar, e cila mund të ndikojë në përçueshmërinë kardiake, rënien e shpejtë të presionit të gjakut, veçanërisht te pacientët e dehidratuar ose ata që marrin barna antihipertensive, si dhe problemet që mund të lindin nëse alarmet e pajisjeve nuk hetohen menjëherë.
Sipas tij, siguria e procedurës nuk varet vetëm nga vetë teknologjia, por edhe nga personeli i trajnuar, kontrolli i pacientit përpara trajtimit, monitorimi gjatë procedurës dhe disponueshmëria e menjëhershme e medikamenteve, pajisjeve të emergjencës dhe shërbimeve të reanimimit.
