Në Rinas kanë mbërritur 10 mjekët dhe 20 infermierët, të cilët do të shkojnë në Itali ku do ndihmojnë kolegët e tyre për të shpëtuar jetët e pacientëve të prekur me COVID-19.

Të gjithë mjekët dukët se janë gati, pasi janë të veshur me veshjen mbrojtëse dhe maska ata do të japin kontributin e tyre për të përballuar situatën me koronavirus në Itali.

Bashkë me ta për t’i përcjellë drejt Italisë është edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=TydwWOkWZ4o?feature=oembed&w=1200&h=675]

Gjatë përcjelljes së stafit mjekësor drejt Bergamos kryeministri Rama mbajti një fjalë përpara këtij stafi, ku falënderoi të gjithë për këtë mision, dhe theksoi se Italia mike nuk duhet lënë vetëm, pasi ajo nuk e la vetëm popullin shqiptar të digjej në dhimbje të papërshkrueshme.

“E di që disave këtu në Shqipëri do i duket e çuditshme  që 30 mjekë e infermierë të armatës sonë të vogël  të bluzave të bardha, nisen sot për në vijën e zjarrit në Itali.

E di po ashtu se 30 mjekë e infermierë nuk e përmbysin raportin e forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe forcave të bluzave të bardha që po luftojnë me të në vijën e zjarrit matanë detit.

Por di edhe që edhe andej është shtëpia jonë tanimë që kur Italia motrat e vëllezërit italianë na shpëtuan dhe na mikpritën e na adoptuan në shtëpitë e tyre kur Shqipëria digjej nga dhimbje të papërshkrueshme.

Ne po luftojmë me të njëjtin armik dhe njerëzit e mjetet e luftës tonë nuk janë pa kufij, por sot nuk mund ti mbajmë forcat rezervë në pritje, të hyjnë në luftë këtu, teksa në Itali po kurohen në spitale edhe shqiptarë që kanë nevojë për ndihmë.  

Është e vërtetë që të gjithë janë mbyllur në kufijtë e tyre, edhe vende shumë të pasura i kanë kthyer kurrizin të tjerëve, por mbase pikërisht se nuk jemi të pasur  dhe nuk na ka lënë kujtesa akoma, nuk mund t’ja lejojnë vetes të mos i tregojmë Italisë, se shqiptarët dhe Italia nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi.

Kjo është një luftë ku askush nuk fiton dot i vetëm dhe ju anëtarë të këtij misioni kurajoz për jetën po niseni për një luftë që është edhe e jona. Sot ne jemi të gjithë italianë dhe Italia duhet dhe do ta fitojë luftën edhe për ne edhe për gjithë Evropën e botën. Zoti ju bekoftë të gjithëve!, tha Rama”./abcnews.al

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re