Skip to content

Mjekët të ndarë për maskat me detyrim

Detyrimi për të mbajtur maska për të gjithë qytetarët edhe në ambiente të hapura ka ndarë në dy kampe edhe bluzat e  bardha. Mjeku Petrit Vargu i cilëson këto masa si të panevojshme  duke thene se nuk beson se do te japin rezultat.

 

“Me këto masat e maskës nëpër rrugë është vetëm një bufalatë e qeverisë që nuk do të japë rezultat. Meqenëse ne nuk kemi studime, meqenëse nuk kemi Komitet Ekspertësh, atëherë e vetmja gjë që na mbetet është të kopjojmë botën. Është një masë që nuk i përshatet kushteve të vendit tonë. Për mendimin tim, është një kopjim i keq që nuk do të zgjidhë asgjë në vendin tonë, përkundrazi do të acarojë. Nëse nuk do të marrësh koronavirusin, dil tek sheshi kryesor i qytetit dhe asgjë nuk të gjen. Qeveria fali gjobat për të gjitha thyerjet e pandemisë. Kështu që njerëzit në subkoshiencën e tyre thonë që pse duhet të mbajmë maskën, do të na i falin edhe një herë tjetër.”

 

Ndërsa mjeku infeksionist Gentian Stroni i sheh si të vonuara këto masat.

 

“Kjo masë është disi e vonuar pasi të gjitha shtetet e tjera që kanë patur problematikat e njëjta me ne, madje kohë përpara e kanë vënë këtë lloj mase qysh në valën e parë të COVID. Po t’i shikosh, duke filluar nga Italia, Spanja, Franca, të gjitha këto kanë qenë shtete që prej kësaj mase kanë patur benefite.”

 

Ndërkohë detyrimi i mbajtjes së maskave do të ketë edhe kosto për familjet.

 

“Këtu në vendin tonë, në kushtet e një varfërie është një gjë që do të varfërojë më tepër ose do të jetë problem për buxhetin familjar.”

 

Vendimi pritet të hyjë në fuqi të enjtën e 15 tetorit, ndërsa për shkelësit policia e shtetit dhe ajo bashkiake do të vendosë gjoba.