Mjekja logopede Kledina Helshani foli në edicionin e lajmeve në MCN Tv mbi sfidat e mësimit të fëmijëve me spektër autik në shkolla. Helshani theksoi rëndësinë e një arsimi gjithëpërfshirës, pjesë e së cilëve të jenë edhe fëmijët autikë. Ajo vë në dukje se numri i fëmijëve autikë ka ardhur në rritje, dhe ata përbëjnë së paku 1 për qind të klasave. Ajo shton se ka shumë fëmijë me spektrin në fjalë që ndjekin arsimin publik, ku trajtohen me një plan individual dhe shoërohen nga mësuesi ndihmës.

Lidhur me sfidat e sezonit të ri shkollor dhe fëmijët me spektër autik, Helshani tha:

Çdo fillim shkolle ka ato sfidat e veta. Nëse marrim fëmijët që kanë një problematikë të zhvillimit, autizmin e kështu me radhë, normalisht për ta sfida është e dyfishtë. Por edhe për mësuesit dhe ata nxënës që kanë një fëmijë në spektër, është një vlerë e shtuar, sepse ata mësohen me një realitet që na shoqëron dita ditës dhe ndonjëherë kalon pa u vënë re siç duhet. Është shumë e rëndësishme që ne t’i pranojmë dhe të shkojmë drejt një arsimi gjithëpërfshirës”.

E pyetur si paraqitet trendi i fëmijëve që kanë probleme me të folurin dhe që belbëzojnë? Helshani u shpreh:

Është në rritje dhe po kërkohet asistenca logopedike dhe shërbimi logopedik nga prindërit për ata që janë në moshë të vogël. Të rriturit shkojnë vet dhe kërkojnë një asistencë logopedike. Është në rritje numri i fëmijëve me spektër autik. Një numër të saktë ende s’e kemi, sepse varet sa e kanë marrë diagnozën nga mjeku. Jo të gjithë e kanë një diagnozë të përcaktuar. Por me sa kemi parë është në rritje. Është diku te 1 për qindshi në klasë. Shumë fëmijë në spektër ndjekin arsimin publik. Ofrohen sepse të gjithë këta fëmijë shoqërohen nga mësuesi ndihmës, që i shoqëron gjatë procesit mësimor. Për ta hartohet një plan individual, i posaçëm, për karakteristikat personale të çdo fëmije. Hartohen nga psikologu, në bashkëpunim me terapistin dhe mësuesin e klasave të para, duke qenë se është një mësues i vetëm që mëson nga klasa e parë në të pestë”.

E pyetur mbi shkaqet që ndikojnë në problemet e të folurit te fëmijët, ajo u shpreh:

Shkaqet që ndikojnë janë nga më të ndryshmet. Edhe prania e ekraneve që vitet e fundit fëmijët e kanë të pashmangshëm kontaktin me ekranin, faktori gjenetik që luan një rol shumë të rëndësishëm, mund të kemi problematika funksionale të të folurit. Te belbëzimi është gjendja emocionale dhe gjenetike. Vonesa e të folurit, ekziston faktori gjenetik, por mund të kenë edhe faktor të jashtëm, mungesa e stimulimit të të folurit në shtëpi, dhe mos dërgimi në kopsht. Çdo shkollë ka psikologun përkatës. Në momentin që vjen një fëmijë me diagnozën përkatëse nga mjeku, është i shoqëruar edhe nga mësuesi ndihmës përkatës”.

 

Burimi: mcntv.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re