“Shko bëj mirë në Itali dhe kthehu e shëndetshme”. Kur ajo vendosi të nisej për në Itali, babai i saj ishte në karantinë i infektuar me Covid-19.

Ornela Gelaj një nga mjekët që qeveria shqiptare dërgoi në Itali gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit u tha prindërve me një video call se do të nisej për në vendin fqinj.

Siç ka treguar në një intervistë për median italiane, ajo ishte në punë, në spitalin Nënë Tereza kur i thanë që të bashkohej me vullnetarët për Italinë dhe nuk u mendua dy herë për përgjigjen e saj. Ajo iu bashkua skuadrës së 30 mjekëve dhe infermierëve për të udhëtuar drejt atij që vetë ajo e quan vendi më i bukur në botë.

“Miqtë, kolegët dhe prindërit e dinin se ishte zgjedhja e duhur për mua, dashuria ime për Italinë dhe kulturën e saj ka qenë gjithmonë e jashtëzakonshme, të gjithë ne që kemi ardhur këtu kemi një lidhje të veçantë emocionale me këtë tokë”, thotë Ornela.

Rrëfimi i saj bëhet më prekës teksa flet nën maskën me të cilën ka mbuluar fytyrën, por jo emocionin që i rrëzëllen ndër sy.

“Këtu ka kolegë shumë të mirë dhe me përulësi kemi ardhur për të ofruar mbështetjen profesionale që u nevojitet tani, por jo vetëm.”

U ngjita në aeroplan duke menduar “Ju nuk jeni vetëm”, afërsia dhe ngrohtësia e njeriut për momentin janë thelbësore jo vetëm për pacientët, por edhe për të gjithë punonjësit e shëndetit që po i shoh të lodhur këto ditë”, tregon ajo ndër të tjera.

Ornela është vajza e vetme, babai është një specialist i sëmundjes infektive, ndërkohë nëna punon pediatre në spitalin e Durrësit.

Ajo tregon si e pritën prindërit lajmin se do të nisej për në Itali , për të luftuar me sëmundjen që po merr mijëra jetë në të gjithë botën.

“Unë komunikova zgjedhjen time dy ditë para nisjes, nuk ishte e lehtë, por pastaj u kujtova atyre se kush isha, çfarë misioni jetësor që kisha zgjedhur , sa e dua Italinë dhe ata e kuptuan”, shprehet ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re