Mjeku i njohur, Artan Koni, tha se sistemi shëndetësor në Shqipëri rrezikon të shkojë drejt kolapsit dhe kjo jo për shkak të pandemisë së koronavirusit, por se sipas tij, po neglizhohen sëmundjet e tjera të rrezikshme, që janë shumë më vdekjeprurëse se ky virus.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, meku Koni dy antiviralët favira dhe remdesiviri janë shumë të rëndësishëm dhe kanë efekt pozitiv te pacientët me koronavirus.

“Sa i përket mbajtjes së maskës, mjeku tha se ajo nuk të mbron nga thithja e virusit. “Maska nuk është efektive, nuk mbron, thjesht mbron disi tjetrin, se nuk e mbron 100%.

Vetë maska nuk të mbron që ti të mos e thithësh virusin”, u shpreh Koni.

Sa të mbrojnë antiviralët nga virusi?

Favira dhe remdesiviri, janë dy antiviralë. Remdesiviri përdoret në spital, pasi mund të ketë dhe efekte anësore te veshka dhe mëlçia. Fakti që shumë pacientë po ikin në Turqi lë të kuptohet se mjekësia atje është më cilësore.

Shteti turk e merr favirën dhe ua dërgon në shtëpi pacientëve të sëmurë, me kuti të caktuara, që iu mjafton për kurën.

Ua dërgon që ditën e parë, ashtu si dhe në vendet e tjera. Këtu te ne Komiteti Teknik thotë se nuk është i nevojshëm.

Tani o vendet e tjera po bëjnë diçka të pabazë, ose po e bëjmë ne. Në këtë aspekt, lajmi që favira do të bëhet ilaç i rimbursueshëm, është lajm pozitiv.

Duke qenë se nuk futet nga shteti në Shqipëri, sot e kemi kontrabandë nëpër farmaci, që ka shkuar në 200-300 euro, kur më parë jepej me 8 euro.

Kjo ndodh sepse shteti nuk e fut. Në fakt shteti mund ta fusë në sasi të madhe, që është edhe më lirë. Po përveç çmimit, ka dhe efekt pozitiv në frenimin e sëmundjes. Jo se ka efekt 100%, por është pozitiv. Antiviralët kanë efekt pozitiv te pacientët e infektuar. Kjo është arsyeja që përdoren gjerësisht në botë. Nuk janë ilaçe magjike, por sjellin një përmirësim.

Si e vlerësoni situatën me pandeminë në vendin tonë?

Situata është shqetësuese. Kemi anën pozitive se nuk jemi më keq se të gjithë, por nuk jemi as më mirë. Është shqetësuese, sepse kishim 8 muaj kohë të përgatiteshim për valën e dytë dhe nuk e bëmë.

Pacientët nuk kanë nevojë vetëm për shtretër, se i kanë në shtëpitë e tyre. Por mungon personeli mjekësor i trajnuar për këtë punë, kemi mangësi në gjithë Shqipërinë. Ka dhe një mori pajisjesh që mungojnë, që nga respiratorët, veshjet mbrojtëse, kushtet spitalore nuk janë të mira sa duhen.

Nuk mund të futen 3 apo 5 pacientë në një dhomë, do të ishte mirë 1 pacient në dhomë. Sistemi i ajrimit është shumë i rëndësishëm, që kërkon investim, edhe sistemi i oksigjenimit. Ilaçet janë shumë të rëndësishme, ku kemi dëgjuar shpesh të ketë mangësi. Kemi dhe stafin mjekësor që përgjigjet 1 personel për 10-15 pacientë, që nuk është normale.

A ja dolëm mbanë ta përballonim mirë valën e parë, me gjithë këto probleme?

Kolapsim do të thotë që janë ezauruar të gjithë kapacitetet spitalore. Në këtë aspekt, besoj se jemi duke shkuar drejt një kolapsi. Kolapsi për mua nuk është Covid, por një sëmundje tjetër që duhet të mjekohet dhe që s’po mjekohet.

Na është futur kjo frika e Covidit dhe po merremi vetëm me të, por duhet të mendojmë dhe sëmundjet e tjera që mund të jenë shumë më vdekjeprurëse, si sëmundjet e zemrës psh. Koha që i përgjigjemi një krize në zemër nuk është ajo që ishte më parë.

Më parë i përgjigjeshim në kohë pacientit, tani kjo kohë është zgjatur shumë, për shkak të pandemisë. Kolapsimi do të thotë ezaurimi i personelit mjekësor dhe mospasja e një personeli tjetër për ta futur në punë, apo dhe mospasja e aparaturave. Sëmundje tjera të rrezikshme janë diabeti, kanceri, sëmundjet e mushkërive, etj.

Covidi do të zgjasë të paktën edhe një vit tjetër, kështu që nuk mund të shtyhet kurimi i pacientëve, që vuajnë nga këto sëmundje, se po i shtyve një apo dy muaj, muajin e tretë ata të vijnë në urgjencë për operacion, duke rrezikuar jetën. Në këtë aspekt, jemi drejt një kolapsi. Duhet të futen në lojë që tani spitalet rajonale.

Është më mirë që 2-3 pacientë të kurohen nëpër rajonale, pasi dhe spitalet nuk krijojnë mbingarkesë, por edhe Tirana nuk bëhet vatra e rrezikshme e infeksionit, siç është tani.

loading...