Mjeku Erion Dasho i ka bërë thirrje qeverisë që t’ua lehtësojë barrën financiare familjeve shqiptare, pasi sipas tij testet e Covid-19 janë shumë të shtrenjta.

Në një postim në “Facebook”, Dasho shkruan se më e pakta që mund të bëj sot qeveria është autorizimi i importit të një prej testeve të shpejta që përdoren në Europë dhe lejimi i shitjes së tyre në farmaci.

“Në kushtet kur COVID ka dalë plotësisht nga kontrolli dhe po kërcënon jetën e qytetarëve, është kriminale që qytetarit shqiptar të mos i ofrohet MINIMUMI një test i shpejtë antigjenik me çmim të përballueshëm. Më pak se 10 EURO kushton testi i shpejtë antigjenik në Europë! Në një status që publikova dje, u komentua se disa klinika në Tiranë e ofrojnë këtë test me çmimin spekulativ 10 mijë deri 15 mijë lekë të rinj!!! Me një normë fitimi një mijë përqind!!! Më e pakta që mund të bëhet sot është autorizimi i importit të një prej testeve të shpejta që përdoren në Europë dhe lejimi i shitjes së tyre në farmaci. Çdo qytetar mund t’a blejë privatisht testin dhe të paraqitet pranë mjekut të familjes për ta kryer atë! Kështu kursehen disa qindra Euro në rastin kur nevojitet testimi i gjithë familjes. Një thirrje për qeverinë shqiptare! Lehtësoni sado pak barrën financiare të epidemisë që u keni lënë në kurriz familjeve shqiptare! Kujtohuni se keni ardhur në pushtet me premtimin për një shëndetësi falas!”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re