Një mjek britanik, i njohur në TikTok si ‘Medifectious’, ka ndarë një test të thjeshtë që zgjat vetëm 30 sekonda dhe mund të sinjalizojë probleme serioze neurologjike.
Në videon e tij, e cila është parë pothuajse 200,000 herë, ai shpjegon si të kryhet testi: merrni njërën dorë dhe lëvizeni shpejt me pëllëmbën përpjetë dhe poshtë mbi pëllëmbën e dorës tjetër për disa sekonda. Pastaj ndërroni dorën dhe përsëriteni ushtrimin.
Ky test ndihmon në zbulimin e dysdiadochokinesia-s, një gjendje që tregon paaftësinë për të kryer lëvizje të shpejta, të alternuara. Ajo është shenjë e një çrregullimi në cerebellum – pjesa e trurit që kontrollon koordinimin e lëvizjeve.
Shkaktarët mund të jenë të ndryshëm: nga një tumor që ushtron presion mbi trurin, te probleme neurologjike si skleroza e shumëfishtë.
Një përdoruese tjetër në TikTok, ‘Char’s TT’, ndau një video të të dashurit të saj, i cili nuk arrin të kryejë lëvizjen për shkak të një tumori në tru. Videoja është parë mbi 1 milion herë.
“Ato janë duart e të dashurit tim trim, i cili ka një tumor në tru,” shkruan ajo.
Ai është diagnostikuar rreth tre vite më parë, por për shkak të mungesës së neurokirurgëve në zonën ku jeton dhe rritjes së ngadaltë të tumorit, ka pritur gjatë për ndërhyrje.
Ajo po përpiqet të mbledhë fonde për të kryer operacionin në mënyrë private – një procedurë që kushton deri në 30,000 £.
Në videon e tij, Medifectious thotë:
“Të gjithë duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Nëse nuk mundeni, është mirë të bëni një kontroll te mjeku.”
Ai shton se ndonjëherë pacientët mund ta kryejnë lëvizjen me njërën dorë, por jo me tjetrën – në varësi të dëmtimit që mund të ketë ndodhur në tru.
Dysdiadochokinesia mund të jetë pasojë e sëmundjeve të ndryshme, përfshirë tumore, dëmtime nervore apo sëmundje neurodegjenerative.
Në Britani, tumoret kancerogjene në tru janë forma më vdekjeprurëse e kancerit për fëmijët dhe të rinjtë nën 40 vjeç, duke shkaktuar rreth 5,300 vdekje çdo vit, ose 15 në ditë.
Edhe tumoret beninje, ndonëse nuk përhapen në pjesë të tjera të trupit, mund të jenë të rrezikshme nëse rriten në zona të ndjeshme të trurit.
Shenjat që nuk duhen neglizhuar: Kur trupi të paralajmëron për një tumor në tru
Simptomat më të zakonshme të tumorit në tru përfshijnë: dhimbje koke të vazhdueshme, përgjumje të shtuar, të vjella të pashpjegueshme dhe çrregullime të shikimit – shpesh si pasojë e rritjes së presionit brenda kafkës nga prania e tumorit.
Shenja të tjera mund të jenë ndryshime në sjellje dhe gjendjen mendore, dobësi ose mpirje në njërën anë të trupit, si dhe vështirësi në të folur apo në të parë.
Sipas mjekëve, simptomat ndryshojnë nga njëri person te tjetri, në varësi të vendndodhjes së tumorit në tru.
Nëse përjetoni dhimbje koke të pazakonta, të cilat janë të reja për ju ose po përkeqësohen me kalimin e kohës, mos i injoroni. Këshillohuni me mjekun e familjes për një vlerësim të mëtejshëm.
Edhe pse këto simptoma shpesh mund të jenë të lidhura me gjendje të tjera më pak serioze, kontrolli mjekësor është hapi më i mirë për të qenë të sigurt. Shendeti.com.al / Burimi: Daily Mail