Skip to content

Mjeku i Berlusconit: Koronavirusi po humb fuqinë

PRI 153236558

Disa mjekë italianë janë shprehur se koronavirusi është “dobësuar jashtëzakonisht shumë” në krahasim me kur “pushtoi” të gjithë botën në fillim të këtij viti.

Shefi i Spitalit San Raffaele në Milano,Dr. Alberto Zangrillo thotë se sëmundja tani është shumë më pak vdekjeprurëse dhe “nuk ekziston më klinikisht” në Itali.

Mjeku i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi tha që pacientët e infektuar rishtas tregojnë simptoma më të buta dhe se ngarkesa virale në sistemin e tyre është ulur ndjeshëm mes marsit dhe majit.

Teoria shkencore sugjeron se viruset mund të bëhen më të dobëta për të mbijetuar, pasi futja në trupin e shumë njerëzve dhe shkaktimi i vdekjeve mund të kufizojë aftësinë e tyre për t’u përhapur.

Megjithatë, jo të gjithë në bashkësinë shkencore i ndajnë këto opinione rreth virusit. Presidenti i organit këshillimor shkencor të qeverisë tha që ai ishte “i hutuar” nga fjalët e mjekut Zangrillo, ndërsa një epidemiolog në Universitetin Stanford e quajti raportin “budallallik”.

Viruse si HIV dhe ftohja e zakonshme kanë ndryshuar në të njëjtën mënyrë siç shpjegohen në këtë raport. Por kritikët tregojnë se sëmundjeve në fjalë u është dashur vite që të pësojnë ndryshime ndërsa koronavirusi u regjistrua për herë të parë në njerëz që në dhjetorin e vitit të shkuar. /