Situata e shkaktuar nga përhapja e virusit, nuk është e rëndë dhe e rrezikshme vetëm për të infektuarit me COVID, por edhe për çdo pacient që vuan nga sëmundje të tjera.

 

Mjeku Ilir Alihmehmeti deklaroi këtë të hënë në “Quo Vadis” se shtrimet dhe konsultat janë shumë më pak në krahasim me me një vit më parë.

 

“Kjo nuk është vetëm për të sëmurët pneumologjik, kjo është për cdo lloj sëmundje, sepse po të shihni shifrat tona spitalore, shtrimet janë shumë më pak në krahasim me 2019, konsultat janë shumë më pak në krahasim me 2019, arrijnë në shifra 50% , sipas repartit, 50 deri në 66% më pak konsulta dhe shtrime. Kjo automatikisht përkthehet në më pak shërbim shëndetësor për pacientët.”

 

Sipas tij, kjo ndodhi pasi pacientët janë të frikësuar dhe nuk paraqiten në qendrat shëndetësore me qëllim shmangien e ekspozimit ndaj virusit.

 

“Pacientët janë të frikësuar, nuk paraqiten fare, mund të ndodhë për shkaqe organizimi të tipit si ky që përmendëm, që ka qënë e detyrueshme lëvizja e repartit nga njëri krah në tjetrin, mund të ndodhë për shkak se janë po të njëjtët pacientë me këto sëmundje kronike që janë të riskuar dhe nga covid-I dhe nuk duan të ekspozohen ndaj covid-it duke ardhur në spital. Pra, kemi shumë elemente të rëndësishmë që duhen marrë bashkë. Ajo që është parë e sigurtë, është që në të gjithë botën kemi një situatë të këtillë, ku spitalet nuk po përdoren në nivelet e vitit të kaluar për pjesën jo covid.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re