Aida ishte vetëm 19 vjeç kur solli në jetë fëmijën e saj të pare dhe bashkë me bashkëshortin i vendosën emrin Kristiano. Kur vitet kaluan, Kristiano kërkonte një motër, kjo do të ishte edhe ëndrra e gjithë familjes Jani. Një endërr që iu bë realitet pas 22 vitesh.

Historinë emocionuese e ka ndarë vetë familja Jani në emisionin “ Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus me Evi Reçin.

Kur Kristiano ishte dy vjeç, Aida kuptoi se ishte sërish në pritje të ëmbël. Për fat të keq, gjërat nuk shkuan siç dëshironin ata.  Aida ishte gati gjashtë muajshe shtatzënë kur konstatuan se bashkë me fetusin po zhvillohej një masë tumorale, e cila kërkonte ndërhyrje të menjëhershme. Aida rrezikonte jetën, por pavarësisht nga kjo, nuk u tërhoq, dëshironte me çdo kusht ta sillte në jetë krijesën që po rritej brenda saj. Në limitin e kohës, mjekët vendosën të ndërhynin dhe shtatzënia u ndërpre. Pas saj, edhe dy shtatëzani të tjera por historia përsëritej.

Aida nuk e harron ditën kur mjeku që e ndiqte i tha: “ Aida, ti ke provuar më shumë se një herë, por, në këto kushte, fatkeqësisht, nuk mund të kesh një shtatzëni që ta finalizosh me një fëmijë!”

Mrekullia ndodhi!  Kur Kristiano ishte 22 vjeç , vjen në jetë motra e tij që bekohet me emrin Argis.

“ Unë kam qën shumë i vogël faktikisht kur mami ka humbur fëmijët. Kur ka ngelur shtatzënë me Argis, aty jam gëzuar shumë sepse kishte disa kohe që e doja një motër. Mami ma ka thënë me shumë vështirësi sepse mendonte se nuk do më pëlqente, se mund ta prisja keq por që aspak, jam gëzuar shumë, shumë mirë sepse këtë gjë e ka dashur edhe mami”, u shpreh mes emocionesh Kristiano.

Me 22 vite diferencë, shumë njerëz mendojnë se Kristiano është babai i Argis dhe jo vëllai saj. Në studion e “ Vizioni i Pasdites” Kristiano ndau një moment nga ardhja në jetë e Argis.

“Kur kemi shkuar tek spitali që mami do lindte, ishte goca tek recepsioni, aty që më tha se ku do shkoni? Do shkojmë sipër i thash se do lindë, ndërkohë isha unë, mami dhë nëna. Recepsionistja i thotë: “Dëgjo nëna ,o ti o burri do ngjitet siper, nuk ngjiteni dot të dy”, unë nuk e sqarova fare por vetëm qesha dhe ika, i thashë nënës shko ti lart se unë skam çfarë bëj.”

Aida me humor tregon se edhe kur solli në jetë Argis, njerëzit nuk e kishin ditur se ajo kishte qënë shtatzënë dhe e morën vesh nga rrjetet sociale.  Kur panë fotot e publikura në rrjetet sociale të gjithë menduan se vajza ishte e Kristianos.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re