Mjeku i presidentit Trump tha të enjten se pacienti i tij ka përfunduar trajtimin terapeutik për koronavirusin pasi erdhi nga spitali në Shtëpinë e Bardhë, se shëndeti i tij është i qëndrueshëm, e kështu ai mund të kthehet në detyrat publike këtë të shtunë.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, Dr. Sean Conley tha se Trump iu përgjigj “jashtëzakonisht mirë” terapisë dhe nuk ka asnjë provë të efekteve anësore nga trajtimi.

Presidenti amerikan, i cili përballet me zgjedhjet më 3 nëntor, u shtrua në spital për infeksion koronavirus të premten e javës së kaluar dhe u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën ku tani është në izolim.

“Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, gjendja e tij fizike ka qenë e qëndrueshme dhe pa indikacione që mund të sugjerojnë përparimin e sëmundjes,” shkroi Conley.

Ai përcaktoi që të shtunën, 10 tetor, do të kalojnë dhjetë ditë që kur presidenti u konfirmua të ketë një infeksion koronavirus. Sipas kursit të planifikuar të trajtimit, Conley parashikon “kthimin e sigurt të presidentit në zyrat publike deri atëherë”.

Trump më parë ka thënë se ai mendon se nuk është ngjitës dhe zbuloi se ndihet mjaft mirë për të vazhduar mbajtjen e tubimeve politike përpara zgjedhjeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re