“Nuk mund të themi se kemi një valë të dytë. Ne kishim një mbyllje të plotë dhe si rrjedhojë edhe virusi nuk qarkulloi. Në momentin që nisi hapja normalisht kemi edhe lëvizje të virusit. Unë mund ta konsideroj si një shfaqje fiziologjike. Virusi nuk u zhduk. Kjo situatë është rrjedhojë e epidemisë dhe duhet t’i pranojmë këto shifra. Ai bllokim pati shumë gjëra pozitive. Këto shifra kanë qenë në vendin tonë 10 herë më të ulëta se në vendet e tjera”.

Kështu u shpreh mjeku imunolog Genc Sulçebe në A2, teksa komentoi situatën aktuale nga koronavirusi.

Mjeku theksoi se është e nevojshme që të identifikohen dhe të izolohen të gjithë personat mbi 60 vjeç dhe ata që kanë sëmundje, ndërsa maskat sipas tij, duhet të bëhen të detyrueshme.

“Njerëzit e rrezikuar duhet të identifikohen. Moshat mbi 60 vjeç dhe ata që kanë sëmundje të tjera kronike, tumorale, janë shumë të rrezikuara dhe duhet të izolohen. Aktualisht nuk mund të bëjmë jetë normale. Qytetarët duhet të bëjnë një jetë normale, ndërsa grupi i atyre që janë të rrezikuar duhet të ruhen në mënyrë të jashtëzakonshme. Mbajtja e maskës në publik duhet të bëhet e detyrueshme. Heqja dhe vënia e maskës mund të jetë e rrezikshme. Edhe policia e rendit duhet të marrë masa për të parandaluar grumbullimet.”

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re