Mjeku Ilir Alimehmeti ka deklaruar në studion e emisionit ABC-ja e Mëngjesit se pacientët e prekur nga COVID-19 që vuajnë nga diabeti janë më të rriskuar.

Ai deklaroi se ende nuk dihet nëse kjo vjen për shkak vetëm të diabetit apo si shkak të çdo patologjie shtesë në trup.

Duke krahasuar me rastin e Italisë, Alimehmeti tha se mosha mesatare e fataliteteve ka qenë më e lartë atje dhe pacientët kanë pasur më shumë se dy sëmundje shoqëruese.

Ai këshilloi të gjithë qytetarët, veçanërisht moshat e mëdha të bëjnë një matje të glicemisë të paktën një herë në vit për shkak se një sëmundje e kapur në kohë mund të trajtohet me më pak pasoja të rënda.

“Të kesh diabetin në historinë tënde personale shëndetësore është një risk më shumë sa i përket formave të rënda. Nuk e dimë nëse është vetë diabeti problemi apo një patologji që ndodhet në trup dhe rëndon gjendjen. Ata që kanë ndërruar jetë në Itali që kanë një moshë mesatare më të madhe dhe 3-4 sëmundje secili.

Nuk mund të bëjmë krahasim me Italinë por fakti që janë moshë e madhe këta persona që kanë fatalitete. Kur pacientët kanë një kontroll të mirë të glicemisë shkojnë shumë më mirë se pjesa tjetër.

Për çdo tre pacient në Shqipëri një prej tyre ende nuk e di që është me diabet.

Ngadalësimi i shërbimit dhe moskryerja normale e këtij shërbimi disa persona i ka bërë që të vonohet diagnoza. Duhet të marrim parasysh që diabeti nuk ka ndonjë problem të madh nëse nuk shkakton probleme akute.

Kjo është një gjë e mirë por nga ana tjetër është një shkëputje. Bëj një thirrje që matja e glicemisë një herë në vit është shumë e rëndësishme se sa më shpejt të kapet aq më shpejt ekuilibrohet.

Të dhënat që vijnë nga organizatat serioze flasin për kequshqyerje të lartë e cila do sjellë problemet e veta afatgjata. Ka një term që ka histori metabolike. Çdo gjë që bëjmë mund të japë pasoja pas disa vitesh”, tha Alimehmeti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re