Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka realizuar një lidhje me Skype me “Syri.net”, ku ka folur mbi koronavirusin dhe situatën e krijuar në vend.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rregullat e vendosura, pasi skenari italian nuk është larg dhe pritet që numri i të infektuarve të rritet.

“Eksperienca e vendeve të tjera ka dëshmuar që kjo epidemi ka pasur një zhvillim gradual shumë të qetë në dukje por shumë kosistent në progres dhe duket si një heshtje, heshtje që të gënjen në fakt.

Përgjithësisht fundi i javës së tretë ka bërë një boom në numrin e rasteve në të gjitha vendet. Asnjë vend nuk i ka bërë përjashtim këtij boomi sepse ka rritje dramatike të rasteve, veçse masat e marra dhe respektimi i tyre kanë mësuar që ky boom apo kjo ngritje e kurbës të jetë e butë.

E kemi në dorë ne, e kanë në dorë qytetarët që ky shpërthim, si vullkan, në fund të javës së tretë të mos jetë i fortë aq sa për t’i hedhur në tokë dhe sistemet shëndetësore, siç e ka hedhur në Itali apo diku tjetër.

Në këtë situatë çdo institucion shëndetësor, publik apo privat duhet të jetë i përgatitur për epideminë.

Numrat e kësaj epidemie nuk i parashikon dot askush. E vetmja gjë që mund të kërkojmë është qytetarët të na dëgjojnë, qytetarët kanë në dorë suksesin ose dështimin tonë”, u shpreh ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re