Shqipëria prej ditësh ka lehtësuar masat mbrojtëse ndaj koronavirusit. Të hënën pritet që masa të tjera lehtësuese të vendosen në fuqi ku numri i bashkive që përfshihen në zonën e gjelbërt do të shtohet.

Mjeku infeksionit, Prof. Pëllumb Pipero këtë të shtunë në një prononcim për DË ka theksuar se është e pamundur që për pandeminë COVID-19 nuk mund të bëhen parashikime.

“Kemi të bëjmë me një virus të ri, nuk kemi ende të dhëna të mjaftueshme për të. Por mund të them se deri tani epidemia në Shqipëri ka ecur me një tendencë të qëndrueshme, ulje rastesh të reja si në aspektin epidemiologjik, pra më pak raste të konfirmuara pozitive, ashtu edhe në atë klinik, më pak raste të shtruara në  spital. Shtimi i viktimave tregon se jemi ende nën efektin e pandemisë. Sëmundja që shkakton COVID-19 është e rëndë sidomos në pacientë të moshuar, me sëmundje kronike bashkë shoqëruese. Ndërkohë, duhet të vë në dukje, se në këtë fazë të dytë të epidemisë nuk kemi asnjë mjek apo infermier të infektuar”, është shprehur Pipero.

Në vendin tonë deri më tani kanë humbur jetën 31 qytetarë si pasojë e koronavirusit, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 7 raste të reja të infektuarish duke e rritur numrin e tyre në nivel kombëtar në 789.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re