Mjeku anestezist, Vasil Llajo shprehet se mënyra më e sigurt për të testuar popullatën për koronavirus është përmes laboratorëve publikë.

 

Në një lidhje “Skype” gjatë edicionit të lajmeve në “Vizion Plus”, doktori deklaroi se edhe në Greqi testet masive kryhen nga autoritetet shtetërore.

 

Sipas tij, numri i tamponëve i kryer në privat në shtetin fqinj është shumë herë më i ulët krahasuar me laboratorët shtetërorë. Mjeku theksoi se njësoj duhet të veprohet edhe në Shqipëri.

 

Intervista e plotë:

 

Në këndvështrimin tuaj, si po menaxhohet situatra e krijuar n ga koronavirusi deri në këto moment?

 

Mendoj që menaxhimi i situatës në Shqipëri është konform rregullave që ka vendosur OBSH. Unë jam edhe në Greqi në momentin që flasim bashkë, në laboratorin tim në Athinë, dhe këtu zbatohen rregullat e izolimit dhe të ruajtjes së njerëzve nga përhapja e koronavirusit sipas standardeve që ka vendosur OBSH. Kuptohet që jemi në dy shtete të ndryshme.

 

Doktor, me të dhënat që keni dhe me atë opinion që keni krijuar deri tani në 3 javë e pak nga shfaqja e sëmundjes, mendoni që ajo e ka arritur pikun e saj apo duhet të presim akoma.

 

Unë mendoj se duhet pritur. Ndoshta jemi në një vijë horizontale dhe është arritur një pjekje e situatës, por rastet janë plus-minus pak a shumë të njëjtat që shfaqen përditë. Jemi akoma në pritje, do të na duhet të presim pas datës 20-25 prill që mbase të fillojë të bëjë ulje.

 

Flasim pak për analizën. A është e drejtë që të ketë një centralizim për kryerjen e testeve për koronavirusit. Pra që do të thotë, nëse do të ketë një liberalizim të testeve, njerëzit mund të mbushin rrugët dhe bëhen rrjedhimisht burim për përcjelljen e infeksionit.

 

Ka laboratore dhe institucione private në Shqipëri që janë të afta, me metodën që kryhet COVID-19, janë të afta ta kryejnë këtë analizë me tampon. Por unë jam që kjo të jetë e kontrolluar nga shtabi që është krijuar për këtë punë, nga Instituti i Shëndetit Publik me qëllim që të mos krijohet konfuzion me mënyrën e marrjes, me mënyrën e transmetimit dhe me dhënien e rezultateve. Pra po e përsëris, mënyra e bërjes është e lehtë për laboratorët në Shqipëri.

 

Ne kemi mësuar që edhe klinika juaj është ofruar të bëjë falas këto analiza. A ju duket normale që ato të bëhen me pagesë në subjekte të tjera?

 

Analizat që unë kam ofruar për të bërë falas, nuk janë analiza që identifikojnë virusin, pra agjentin patologjik që shkakon sëmundjen. Analiza që unë kam ofruar janë analiza që dedektojnë ecurinë e gjendjes pulmonare të pacientit.

 

Kjo do të thotë se analiza thelbësore për zbulimin e sëmundjes i takon laboratorit shtetëror…

 

I takon laboratorit shtetëror për mënyrën e organizimit të marrjes së mostrave. Mënyra sesi mund të bëhet është e thjeshtë në disa laboratorë privatë.

 

Doktor, në Greqi si veprohet dhe cili është mendimi juaj?

 

Në Greqi të gjithë të sëmurët i drejtohen mjekut të familjes. Dhe mjeku i familjes në rastet kur ka simptoma, e drejton në një qendër që është koordinuese nga Ministria e Shëndetësisë. Në rastet e rënda, mjeku i familjes, gjithnjë me telefon, i drejton në spitale. Pacientëve me simptoma u rekomandohet bërja e testit me tampon në institucionet publike. Kryhet ky test edhe në disa laboratorë privatë në Greqi, por numri i tyre në ditë nuk i kalon 30. Pra, trendi i madh është në institucuionet shtetërore sepse mënyra e kontrollimit dhe e menaxhimit të situatës është më e mirë aty. Mund t’ju them se deri tani në Greqi janë kryer mbi 17.315 teste për koronavirusin. Pra një numër i madh, që në krahasim me sektorin privat është shumë i vogël.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re