Një sërë mediesh nga Kina dhe Japonia raportuan se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un mund të ketë ndërruar jetë.

Lajmi është botuar edhe nga mediat perëndimore, por askush nuk është në gjendje të faktojë një lajm të tillë.

Disa të tjera shkruajnë se lideri komunist jo vetëm nuk ka ndërruar jetë, por ka shkuar me pushime.

Por sipas britanikes ‘Mirror’, Kim Jong-un ka ndërruar jetë ose është në prag të vdekjes pasi një operacion në zemër nuk ka shkuar mirë.

Mjekut që kreu operacionin po i dridheshin duart kur doli nga salla e operacionit, shkruan gazeta.

Kim, që besohet se është 36 vjeç, nuk është parë në publik që prej 11 prillit.

Një gazetë japoneze shkruan se ai është në gjendje koma. Kurse një media kineze thekson se një ekip mjekësh nga Kina është dërguar me urgjencë në Korenë e Veriut. Por mendohet se mjekët kinezë kanë mbërritur me vonesë.

Dyshohet se Kim Jong-un u dërgua në spital pasi nisi të kishte dhimbje në gjoks gjatë një vizite në fshat dhe u rrëzua përtokë. Vendin e tij mund ta zërë e motra, Kim Yo-jong.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re