Mmm! Kjo recetë është traditë tipike e kuzhinës kosovare por padyshim ajo përgatitet gjerësisht në të gjitha trevat shqiptare.

Përbërësit:(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona); 500 gr bamje; 500 gr patëllxhanë; 2 filxhanë kafeje me vaj ulliri; 2 kokrra qepë; 4-5 kokrra domate; Kripë; Majdanoz; 2-3 filxhanë kafeje me uthull.

Ja përgatitja:Në rastin kur bamjet janë të freskëta, ju sugjerojme që t’i pastroni nga bishti në formë konike dhe t’i vendosni në ujë me kripë e uthull për 10 minuta. (Në rastin kur janë të ngrira ky proces është bërë nga amvisat para se t’i ngrijnë)

Dhe e njëjta gjë bëhet edhe me patëllxhanët, të cilët pastrohen, lëkura u qerohet në rripa-rripa dhe vendosen në ujë me kripë e uthull për 15 minuta në mënyrë që t’u largohet hidhësia.

Bamjet, fërkohen me duar që t’u largohet pushi, shpëlahen, kalohen në skuqje të lehtë dhe rreshtohen në tavë me bishtat anash duke shtruar në fund feta domatesh.

Edhe patëllxhanët priten në feta të rrumbullakëta apo për së gjati, kalohen në skuqje dhe vendosen me rradhë në tavë.

E më pas, në vajin e ullirit që ka mbetur të kaurdisni qepën e grirë hollë, të hidhni kripën, domatet e qëruara nga cipa, t’i grini hollë dhe t’i kaurdisni. Hidhini salcës dy gota ujë, shtoni kripë, majdanoz të grirë hollë dhe u hidhet bamjeve dhe patëllxhanëve në tavë.

Sipër vihen feta domateje, u hidhet lëng mishi ose ujë dhe futet në furrë parangrohur në 200 gradë derisa tava të mbetet me pak lëng.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re