Nga Blendi Gashi

Partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa (LDK) e cila përfundimisht nuk do ta mbështet protestën e Vetëvendosjes që mbahet të shtunën, ka rikthyer kërcënimet ndaj Ramushit me ngritjen e mocionit për ta rrëzuar nga pushteti.

Kjo parti, pas mbledhjes së grupit parlamentar të mbajtur të hënën, tha se janë në përgatitje të mocionit dhe besojnë se do marrin përkrahje edhe nga deputetë të partive në pushtet për t’i mbledhur 61 votat e mjaftueshme, pasi thonë se është urgjente që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Por kjo parti, sikur edhe herëve tjera, nuk dha një datë se kur do të ngrejë mocionin në fjalë.

“Do ta përgatisim një mocion sa ma shpejt pasi vendi është në një krizë politike dhe institucionale. Kjo qeveri nuk ka mundësi të vazhdojë të merret me temat e mëdha”, deklaroi nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu pas mbledhjes.

 

Pse ka gjasa të dështoi mocioni…

Edhe pse qeveria e Ramushit mbahet në këmbë me rreth 52 deputetë, ideja e kahershme e LDK-së, për ta rrëzuar nga pushteti me mocion mosbesimi është vështirë e realizueshme.

E para, po të ishte gjë e lehtë LDK do e ngrinte mocionin vetëm pak muaj pasi u formua qeveria kur e kërcënoi për herë të parë. Por nuk e bëri pasi e pranoi se po e ka të vështirë të bëjë numrat e nevojshëm.

 E dyta, edhe sot dhe ditët e javët në vazhdim përkundër përpjekjeve që mund t’i bëjë do ta ketë thuajse të pamundshme.

Ja pse: ka deklaruar se nuk e rrëzon Ramushin me votat e Listës Serbe. E duhet kujtuar se Ramushi për ta rrëzuar Isa Mustafën nga pushteti përdori votat e kësaj partie të minoritetit serb.

LDK, sado që mund të synojë votat e deputetëve të NISMA-s së Fatmir Limajt që llogaritet si një lloj “xhokeri”, vështirë se mund t’i marrë ato. Jo vetëm për arsye se kjo parti është në pushtet dhe sa më gjatë qëndron veçse sa forcohet, por edhe se Limaj së fundmi u bë udhëheqës i qeverisë në bisedimet me palën serbe dhe po të synonte largimin nga qeveria do i afrohej vet LDK-së dhe do e rrëzonte.

Dhe arsye e tretë është se NISMA ka një partneritet parazgjedhor me AAK-në dhe gjasat janë të mëdha që këtë gjë ta bëjë edhe në të ardhmen , duke ditur se e vetme nuk e ka të sigurt se mund të mbërrijë 5 % të votave (të paktën sondazhet nuk e nxjerrin sigurt në këtë përqindje). Pra “xhokeri NISMA” thuajse është i paarritshëm.

LDK më shumë mund të shpresoj te ndonjë deputet i PDK-së për ta rrëzuar qeverinë. Votat e ndonjërit prej tyre sigurisht se mund t’i marrë nëse veç Kadri Veseli synon rrëzimin e Ramushit dhe më pas përmes zgjedhjeve të reja ta synojë pozitën e kryeministrit.

Megjithatë duhet pritur mocionin për të kuptuar nëse LDK do i “hakmerret” Ramushit dhe do e rrëzojë në të njëjtën mënyrë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re